
Biri i babës!
Selamun Alejkum!Kjo është letra ime e parë që po ta dërgoj ty, kurse ti e ke jetën përpara. Por, mos harro, ti je në një vend të huaj.
Biri im …
Pas udhëtimit tënd, unë kam ndier një gëzim për studimet tua, por njëkohësisht kam ndier një pikëllim për mosprezencën tënde në shtëpinë tonë. E unë si prind, e shoh si obligim të të këshilloj; kjo më nxiti ta shpejtoj shkrimin e kësaj letre.
Biri i babës…
Ki kujdes! Mos e harro Allahun pasi që ta dhuroi këtë begati; ta dha diturinë, ta mundësoi studimin, ti ke shkathtësi, ti i kupton gjërat, e kjo kushton me çmim të shtrenjtë, andaj mos e harro Atë që ta dha këtë çmim.
O biri im…
Me të vërtetë kam besim tek ti, nëse do të qëndrosh ashtu siç të kam edukuar unë. Ki kujdes se tani je vetë, e mua nuk më ke. Kush do të ta tërheqë vërejtjen, edhe pse mendon se nuk ke nevojë për mua. Por unë të kam lënë në dorë të Allahut.
Biri im i shtrenjtë…
Vatani të pret; e pret kthimin tënd, ta pret suksesin, kërkon shpalosjen e diturisë sate në mejdanin e shkencës, të cilën ti e mëson atje. Mos u bëj përtac, e mos luaj me lajka; mos u tall, për ty nuk ka shaka; qëndro si burrat, se dikur do ta kuptosh këtë.
I dashuri i babës…
Sikur të gjithë fëmijet e botës të kishin dituri më shumë se unë, do t’i xhelozoja ata, përveç teje. Do të hidhërohesha nëse të tjerët i arrijnë qëllimet e tyre, e ti nuk e arrite qëllimin tënd. Prandaj, kurrë mos e nënçmo qëllimin tënd. Kurrë mos thuaj “unë nuk mundem” sepse kjo është puna e djallit, e djalli t’i hapë dyert e dyshimit.
O pjesë e trupit tim…
Nuk dua të t’i përmend të mirat që i kam bërë për ty, do t’i lë ato tek Allahu, Ai e di më së miri se si do të më shpërblejë, por ti mund të ma kthesh vetëm me të mirë. E mira kthehet me të mirë.
Biri i babës
Unë nuk i kam pasur kushtet për t’u arsimuar. Ja, Allahu ta mundësoi ty këtë; kjo është dhuratë, falënderoje Allahun, dhe vazhdo këtë rrugë deri sa të dojë Ai, sepse studimi nuk ka fund.
Syri i babës…
Sa po mundohem ta përfundoj këtë letër, por nuk mundkam, ngase po mundohem që të gjitha fjalët t’i fus në këtë copë letre; edhe pse dora më dridhet, syri më loton, buzët më janë tharë… Ja, tani dora përfundoi. Kjo ishte e tërë ajo ç’pata për të të thënë, edhe pse po më duket se nuk të thashë asgjë. Do të të them diçka që na porositi Allahu ynë dhe i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem:
Së fundi, disa këshilla nga Allahu dhe nga pejgamberi Muhamed, sal-lAllahu alejhi ue selem…
Biri im, të këshilloj të kesh frikë Allahun kudo që të jesh, dhe dije se Allahu të sheh edhe pse ti nuk mund ta shohësh Atë. Biri im i shtrenjtë, ruaje moralin tënd, se më i miri është ai i cili e ruan moralin e vet. I dashuri i babës, kujtoje Allahun kur je në rahati, ashtu që Allahu të të ndihmojë kur je në mërzi. Shpirti i babës, mos të të mashtrojnë stolitë e kësaj bote e cila është me plot epshe, e të ta humbë botën tjetër, të përjetshmen. Loçka e zemrës, mos i bëj shok Allahut në adhurim, sepse t’i shoqërosh Allahut dikë është padrejtësi e madhe. O syri i babës! Fale namazin rregullisht, sepse namazi të largon nga veprat e ndyta. Biri im, mos u bëj mendjemadh, por bëhu modest, ngase Allahu i do robërit modestë.
Eselamu alejkum, të uroj suksese – Babai i yt.
E përgatiti: Robi i Allahut, i varfër para Madhërisë dhe Lartësisë së Tij, i dashuri i hoxhallarëve, i sjellshëm me vëllezër.




10/07/2011 at 9:14 pm
ALlahu ju shperblefte !!!
vertete me preku ne shpirte e kam te njejten histori