“ Shitësit e drogës jetojnë duke shitur vdekjen, ndërsa narkomanët prejt tyre e blejnë vdekjen ”.
Narkomania është një nga kurthet më të mëdha të epokës sonë që së bashku me sidën, alkoolin dhe prostitucionin po rëndojnë në këtë fundshekull mbi qafën e brishtë të popujve.
Vëllezër dhe motra! Droga është një dukuri jashtëzakonisht e rrezikshme, e cila e shkatërron shëndetin e njeriut pa mëshirë, prandaj prej nesh kërkohet që kësaj dukurie të shëmtuar t’i themi stop dhe njëherë e përgjithmonë ta mbajmë shoqërinë të larguar dhe të distancuar nga të gjitha rrugët që shpijnë deri te porti i saj pa kthim.
Termi narkomani rrjedh nga fjala greke “narko”-dehem dhe “mania”-tërbim me të cilën shprehen epshet për kënaqje, dëfrim me mjete narkotike (drogë).
Droga është përdorur si pije për herë të parë para 200 vjetësh kur Britania e Madhe e hodhi në Kinë për të dominuar atje dhe për t’ua prishur jetën kinezëve. Mirëpo sot, vetë Britania e Madhe dhe shtetet tjera të botës po pësojnë dhe po vuajnë pasojat e dëmshme të saj.
Sipas raportit vjetor të Kombeve të Bashkuara për drogat, rreth 200 milionë njerëz në botë janë përdorues të drogave ilegale, përkatësisht pesë
përqind e popullatës së përgjithshme në botë, mes moshës 15 – 64 vjeç. Kanabisi është një prej drogave më të përhapura. Në botë rreth 14 milionë njerëz konsumojnë kokainë dhe 11 milionë janë të varur nga heroina.
Droga është një substancë toksike e cila ndryshon gjendjen e vetëdijes. Drogat janë substanca psikoaktive, të cilat pas futjes në organizëm shkaktojnë ndryshime në planin e sjelljes. Këto mund të jenë çrregullime afatshkurtëra dhe afatgjata. Varësisht prej llojit të drogave, disa prej tyre shkaktojnë varshmëri shumë më shpejt dhe shumë më të rëndë.
Droga shkakton dëme të mëdha edhe në aspekte të tjera të jetës së tyre, veçanërisht kur ky fenomen merr përmasa. Pra, përdoruesit dhe konsumuesit e drogës janë njerëz me pasoja psikike dhe si rrjedhojë ata i gjejmë edhe në raste vjedhjeje, prostitucioni, kriminaliteti etj.
Konsumuesit e drogës zakonisht përfundojnë në rrugë. Pasi humbin të gjitha shpresat se familja nuk është në gjendje t’i ndihmojë për blerjen e dozës, ata fillojnë të shesin çdo gjë me vlerë vetëm për të fituar ca të holla për blerjen e dozës së tyre; duke vepruar në këtë mënyrë ata shkatërrojnë ekonominë familjare.
Konsiderojmë që feja mund të luaj një rol shumë të rëndësishëm në fushën e kësaj lufte të brendëshme kundër një sëmundjeje të tillë siç është narkomania. Ajo është këtu, së pari, për të vendosur barazpeshën midis dimensionit shpirtëror dhe atij material, midis vlerave shpirtërore dhe atyre materiale, që është i domosdoshëm për realizimin e mirëqënies dhe të lumturisë njerëzore dhe së dyti, për t’i evituar dhe flakur faktorët e brendëshëm e të jashtëm që nxisin kosumimin e substancave narkotike.
Në Kuran dhe në hadithet e Muhammedit (sal-lAllahu alejhi ue selem) narkomania nuk është përmendur me emër, sepse ajo nuk ka qenë e njohur në atë kohë, mirëpo në Sheriat në bazë të Kur’anit dhe hadithit është konstatuar rregulli përgjithësisht i njohur: “Çdo ushqim dhe pije përkatësisht çdo artikull që e përdorin njerëzit por i cili shkakton dëm në shëndetin dhe degjeneron jetën e tyre, është kategorikisht i ndaluar-haram”.
Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:
“Mos e çoni vetveten në shkatërrim” (El-Bekare, 195).
Dijetari islam Ibën Tejmije thotë:
“Në drogë të këqijat janë më të mëdha se në alkool. Kush konsideron se droga është e lejuar (hallall) ai është i dalur nga feja, atij nuk duhet t’i falet xhenazja, e as nuk duhet të varroset në varrezat e muslimanëve”.
Efektet e dëmshme në organizëm:
Varësisht nga lloji dhe nga mënyra e përdorimit ato kanë efekte shumë të dëmshme në organizëm duke filluar nga humbja e të përceptuarit, lodhjen e organizmit, humbje të oreksit, rënie në peshë, dhimbje të shpeshta koke, sëmundje të organeve të frymëmarrjes, rënie të koncentrimit, vjellje, sëmundje të gjakut; te femrat rrezik i shtuar për shterpësi, çrregullime të ritmit të zemrës, pagjumësi etj. Mosmarrja e drogës nga narkomani për 8 deri 12 orë shkakton nervozë, kokëdhimbje, gërçe të muskujve, lodhje, frymëmarrje të shpejtë, ulje të shpejtë të tensionit dhe komplikime tjera shëndetsore. E mos konsumimi i drogës për 36 deri 72 orë shkakton halucinacione, shqetësim të thellë, këputje fizike dhe ngatëresa plotësuese shëndetsore.
Si t’i ndalojmë të rinjtë nga ky fenomen shkatërrues dhe vdekjeprurës?
- T’i vëzhgojmë fëmijët dhe të rinjtë se me kë po shoqërohen, me një fjalë t’i ndalojmë nga shoqëria e keqe.
- T’u ofrojmë atyre edukatë fetare islame, t’u shpjegojmë moralin dhe ndikimin e tij në shoqëri, t’u mësojmë vlerat dhe dhuntitë që Allahu i Gjithëmëshirshëm na ka dhuruar, e në veçanti mendjen dhe intelektin.
- Të punojmë me të rinjtë vazhdimisht derisa të arrijnë moshën e pjekurisë, pasi kjo konsiderohet faza dhe periudha më e nxehtë, kur i riu mund të mashtrohet shumë lehtë.
- Nga çdo prind, mësues, edukator, polic kërkohet që t’i kurojë përdoruesit e drogës duke e shikuar problemin në një dritë realiste bashkëkohore.
Ne besojmë se rinia e cila është duke përjetuar më shumë se çdokush tjetër krizën bashkëkohore shpirtërore do të gjejë rrugën e vet e cila do të shpie me siguri deri te të kuptuarit e thellë të nevojës së kthimit drejt Zotit – burimit të vlerave shpirtërore.
Fjalët penduese të një narkomani:
“ Ah, sikur të mund që ta ktheja kohën pas, të isha i lumtur siç isha dikur, do ta shfrytëzoja çdo minutë të jetës sime që t’i realizoja dëshirat që aq shumë i ëndërroja, mirëpo, unë u nisa në një luftë, ku beteja gjithmonë është e humbur.
Dëshiroj të jetoj edhe pse jeta ime për mua më nuk ka kuptim.
Sa shumë e urrej ditën kur hyra në këtë rrugë të gabuar!
Sa vështirë qenka të zgjohesh çdo mëngjes duke i thënë vetes: Edhe sot qenkam gjallë!
O Zot, sa keq e paskam dënuar veten, e di që meritoj dënim të ashpër, por të lutem, më fal! ”
Në fund, lusim Allahun e Madhërishëm që të na ruajë nga çdo rrugë e keqe, e të na udhëzoj në rrugën e Tij. AMIN.



