Ah, sikur ta dinin se çka është Suneti!
Me të do të krenohej i tërë umeti.
Nuk ka Islam pa kësi kompleti
Kur’ani dhe Suneti janë dy në veti.
Po ata që në besim kanë vetëm shpresë?
Atyre u duhet ende shtesë.
Shtesa është e qartë,
Ashtu siç ka thënë Ai që është lart.
Ndoshta ata që kanë vetëm frikë,
Kanë gabuar kur kanë përdorur thikë.
Ata duhet ta dinë të Vërtetën
Se shpresën nuk duhet ta lënë vetëm.
Po ata që shprehin vetëm dashurinë?
Ah, sa gabim është që ashtu të rrinë.
Si s’e dinë se Allahu frikën urdhëron?!
Të besojmë kështu, se përndryshe na dënon.
Po ne, Ehlu Suneti?
Çfarë presim?! A ashtu përparon umeti?
Ne kemi shpresë, frikë dhe dashuri.
Sa mirë që i kemi këto të tri.
Ne shpresojmë, dhe kemi frikë,
Me frikë-respekt Atë e adhurojmë,
Më pastaj ne shpresojmë,
Pikërisht kështu besojmë.
Por, edhe ne shprehim dashurinë
Mu për këtë e pasojmë të Dërguarin.
Ne jemi ata që e duan Allahun,
I Cili na mësoi ta pasojmë Resulullahun.
Komenti i poemës
Duke pasur parasysh se umeti Muhamed, alejhi salatu ue selam po ballafaqohet me besime të kota, me disa sekte apo bidate që kanë të bëjnë me besimin, shpresojmë se me këtë poezi dhe shpjegimin e saj, u bëjmë thirrje Ehlu Sunetit dhe Xhematit që të mos anojnë në asnjërën prej këtyre sekteve që kanë devijuar në besim. Ne në këtë poezi kemi cekur disa prej atyre që e marrin njërën dhe e lënë tjetrën, dhe kështu besimi i tyre bëhet i mangët pa njëra-tjetrën, siç edhe do të ceket në shpjegim. Allahu ju ruajt nga këto besime të kota!
Ah, sikur ta dinin se çka është Suneti!
Me të do të krenohej i tërë umeti.
Nuk ka Islam pa kësi kompleti
Kur’ani dhe Suneti janë dy në veti.
Ah, sikur ta dinte umeti i Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue selem, se sa besim të pastër kemi, do të mburrej si umet Ehlu Suneti dhe Xhemati.
Ne jemi umet që bazohemi në Libër (Kur’an) dhe në Sunet (Hadith).
Kur’ani është baza kryesore e Islamit, libri i cili i është shpallur Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, e Suneti, duke u bazuar në hadithe, është veprimtaria e Resulullahut, sal-lAllahu alejhi ue selem, sjellja e tij, fjala dhe jeta tij. Thotë i dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem: “ Unë po ju lë pas vete dy gjëra. Ato janë: Libri i Allahut dhe Suneti im, këtu do të gjeni udhëzim dhe dritë.” (Muslimi).
Po ata që në besim kanë vetëm shpresë?
Atyre u duhet ende shtesë.
Shtesa është e qartë,
Ashtu siç ka thënë Ai që është lart.
Murxhinjtë e lanë në besimin e tyre vetëm Fjalën (dëshminë: LA ILAHE ILALLAH, MUHAMED RESULULLAH), ndërsa veprën e tërhoqën nga besimi.
Shtesa është: Përpos të besuarit me zemër, është edhe të shprehurit me gjuhë dhe të vepruarit me gjymtyrë, dhe se, besimi shtohet me vepra të mira dhe dobësohet me mëkate dhe me lënien e veprave të mira.
Thotë Allahu, subhanehu ue teala: “Dhe thuaj (o Muhammed, alejhi salatu ue selam): Punoni! Allahu do t’jua shohë punët tuaja, i dërguari i Tij dhe besimtarët.” (Teube, 105). Thotë Allahu, subhanehu ue teala; “Besimtarë të vërtetë janë ata të cilët, kur u përmendet Allahu, ndjejnë frikë në zemrat e tyre, dhe kur u lexohen vargjet e Tij (Kur’ani), ato ua shtojnë besimin…” (Enfal, 2).
Ndoshta ata që kanë vetëm frikë,
Kanë gabuar kur kanë përdorur thikë.
Ata duhet ta dinë të Vërtetën
Se shpresën nuk duhet ta lënë vetëm.
Havarixhët nuk e dalluan mëkatin prej kufrit.
Pastaj devijuan e dështuan, dhe si pasojë derdhën gjakun muslimanëve.
Ata ishin prej të parëve, por qysh në fillim devijuan.
Ashtu mbaruan me Islamin dhe Islami u largua plotësisht nga ata. Për sa u përket havarixhëve, thotë i dërguari i Allahut: “Havarixhët janë qentë e Xhehenemit ( Zjarrit).” (Xhamiu sagir ue zijadeh, Albani).
Po ata që shprehin vetëm dashurinë?
Ah, sa gabim është që ashtu të rrinë.
Si s’e dinë se Allahu frikën urdhëron?!
Të besojmë kështu, se përndryshe na dënon.
Sufitë, një ndër sektet që u mashtruan me veten e tyre, pretenduan se e duan Allahun, por nuk e pasuan Resullullahun. Kurse Allahu kërkon ta duam Atë (Allahun) dhe pastaj ta pasojmë të dërguarin e Tij, sal-lAllahu alejhi ue selem, që Allahu të na dojë. Mirëpo sufitë nuk patën frikë, vetëm se dashuri të verbër.
Thotë Allahu, subhanehu ue teala: “Andaj kini frikë Allahun dhe me dëgjoni!”. (Shuara, 144). Thotë Allahu, subhanehu ue teala: “Thuaj: “Nëse e doni Allahun, më pasoni mua (Muhamedin, alejhi salatu ue selam) që Allahu t’ju dojë.” (Ali Imran, 31).
Po ne, Ehlu Suneti?
Çfarë presim?! A ashtu përparon umeti?
Ne kemi shpresë, frikë dhe dashuri.
Sa mirë që i kemi këto të tri.
Ne si umeti Ehlu Suneh dhe Xhemat duhet të punojmë më shumë që të shihet puna dhe të jetë e dukshme ashtu që ta kuptojnë edhe të tjerët të Vërtetën.
Besimi ynë është se: Ne shpresojmë tek mëshira e Allahut dhe kemi frikë nga dënimi i Tij, ndërsa veprat i bëjmë për dashurinë ndaj Allahut dhe për fytyrën e Tij bujare. Ne urdhërojmë në të mirë e ndalojmë nga e keqja, dhe i besojmë Allahut. Thotë Allahu, subhanehu ue teala: “Ju jeni populli më i dobishëm i ardhur për të mirën e njerëzve, ngase ju urdhëroni për të mirë, ndaloni nga veprat e këqija dhe besoni Allahun.” ( Ali Imran, 110)
Ne shpresojmë, dhe kemi frikë,
Me frikë-respekt Atë e adhurojmë,
Më pastaj ne shpresojmë.
Pikërisht kështu besojmë.
Shpresojmë se Allahu do të na mëshirojë, pasi që ne kemi punuar për Xhennet, dhe me mëshirën e Tij do të na futë në xhenetet e Tij.
Duke pasur parasysh dënimin e Tij, ne nuk i kemi bërë shirk (t’i bëhet shok Allahut në adhurim) e as kufër, dhe jemi munduar t’i largohemi mëkateve të mëdha. Kurse prej mëkateve të vogla, çdo i bir i Ademit është gabimtar, por më i miri prej tyre është ai që pendohet, prandaj Allahu nuk e falë shirkun, pos shirkut i falë të gjitha, kuptohet, atij që do Ai (Allahu). Thotë Allahu, subhanehu ue teala:
“E kush është ai që shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepër të mirë dhe në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos shoqërojë askënd.”
(Kehf, 110). Thotë Allahu, subhanehu ue teala: “S’ka dyshim se Allahu nuk e falë atë që i bën shok në adhurim, e të tjerat pos shirkut ia falë kujt të dojë Ai.” ( Nisa, 116).
Por, edhe ne shprehim dashurinë
Mu për këtë e pasojmë të Dërguarin.
Ne jemi ata që e duan Allahun,
I Cili na mësoi ta pasojmë Resulullahun.
Ehlu Suneti dhe Xhemati nuk e tepron në din (fe) e as në dynja.
Duke e pasuar të dërguarin Muhamed, alejhi salatu ue selam, umeti i tij nuk mund të devijojë sepse e ka mësuesin që t’ia mësojë dinin duke mos i bërë vetes dëm në dynja dhe në ndërkohë ti je vetëm duke adhuruar Allahun Fuqiplotë, ashtu që e fiton dynjanë dhe e fiton ahiretin. Thotë Allahu, subhanehu ue teala:
“Çka t’ju japë i Dërguari, merreni atë, dhe çka ju ndalon, përmbajuni asaj…” (Hashër, 7).
Thotë Allahu, subhanehu ue teala: “Shembulli më i mirë për ju është i dërguari i Allahut.” (Ahzab, 21).
Përgatiti robi i Allahut, i varfër para Madhërisë dhe Lartësisë së Tij, i dashuri i hoxhallarëve, i sjellshëm me vëllezër.



