
O Njeri që shumë qesh,
E ndonjëherë dhe qan,
Këtë botë ke për ta lënë,
A e di ti se ku do të të vënë?!
A i ke praktikuar rregullat e fesë?
Vallë, mendove se njeriu s’do të vdesë?!
Po, do të vdesësh edhe ti një ditë!
Kush e di se çka ka me t’pritë?!
Oh, vdekja është gjë e ftohtë,
Trupi yt nuk do të jetë i ngrohtë.
Nuk mer frymë, e as lëviz,
Ashtu i shtangur të përcjellin prej shtëpisë.
Po mos pyet për varrin!
Lute Zotin të mos e përjetosh Zjarrin!
Vetëm tri pyetje ke për t’u pyetur,
Do të dënohesh nëse nuk i ke ditur.
Bëhu gati menjëherë!
Përndryshe do të futesh në Ferr.
Por, nëse pendohesh e përmirësohesh
Vazhdo Madhërisë së Zotit t’i nënshtrohesh.
Shpjegim
Komenti i kësaj poeme sqaron se njeriu fare nuk mendon se çfarë po e pret. I është stolisur kjo botë dhe mendon se kjo është e tëra. Ai është futur në një gjumë të thellë. Prandaj, në poezinë e lartëpërmendur fillimisht është përmendur lënia e kësaj bote, pastaj praktikimi i fesë, vdekja, varri, Zjarri, pyetjet në varr, ashtu që, njeriu të zgjohet nga ky gjumë i thellë. Pastaj, në strofën e fundit i është përmendur pendimi dhe nënshtrimi ndaj Krijuesit të tij që të bëhet gati sa më shpejt. E lusim Allahun, xhele shanuhu, që me këto strofa të zgjohen muslimanët.
O Njeri që shumë qesh,
E ndonjëherë dhe qan,
Këtë botë ke për ta lënë,
A e di ti se ku do të të vënë?!
______________________________________________________________________________________
Shpjegim
O njeri, që Allahu të krijoi si krijesën më të përsosur, Ai, subhanehu ue teala, thotë në Kur’anin famëlartë: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Tin, 4). Përse qeshesh shumë e ndonjëherë qan? Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Sikur të kishit ditur çka di unë, do të qanit shumë e do të qeshnit pak.” (Shënon Buhariu).
Në këtë botë nuk do të jesh përgjithmonë, edhe pse i kushton shumë rëndësi jetës së kësaj bote. Dije se, bota tjetër është më e mirë dhe e përhershme. Allahu, xhele shanuhu, thotë: “Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar.“ (Ala, 16-17). A e di ti se ku e vendin? E ke vendin në varr dhe aty do të jesh derisa të ringjallesh në Ditën e Kijametit.
A i ke praktikuar rregullat e fesë?
Vallë, mendove se njeriu s’do të vdesë?!
Po, do të vdesësh edhe ti një ditë!
Kush e di se çka ka me t’pritë.
Shpjegim
Sa herë ke marrë pjesë në tribuna fetare? Aty, me siguri, do të dëgjosh ligjërata, në të cilat përmendet vdekja. Vdekjen do ta përjetojë çdo shpirt. Allahu, xhele shanuhu, thotë: “Çdo shpirt (njeri) do ta shijojë vdekjen.” (Ali Imran, 185). Vdekja është si gota, të gjithë njerëzit do të pinë prej saj. Përkujtimi i vdekjes i shkatërron kënaqësitë e kësaj bote. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Shpeshtojeni përkujtimin e shkatërrimit të kënaqësive, vdekjen.” (Shënon Tirmidhiu).
Oh, vdekja është gjë e ftohtë,
Trupi yt nuk do të jetë i ngrohtë.
Nuk mer frymë, e as lëviz,
Ashtu i shtangur të përcjellin prej shtëpisë.
———————————————————————————————————————————-
Shpjegim
Vdekja ka vështirësi. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, gjatë momenteve të vdekjes thoshte: “La ilahe ilAllah. Vërtet vdekja ka agonitë e saj.” (Shënon Buhariu).
Atë ditë nuk ka shërim për ty. Atë ditë Allahu vendos të ta marrë shpirtin e kështu ti ndahesh nga familja jote. Trupi yt e ndjen një ftohtësi. Allahu, xhele shanuhu, thotë: “Por, kur shpirti të vijë në grykë e të thërrasin “A ka shërues”, atëherë, ai (që po vdes) do të bindet se ky është çasti i ndarjes dhe këmbët do të ngrijnë. Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt.“ (Kijame, 26-30).
Po mos pyet për varrin!
Lute Zotin të mos e përjetosh Zjarrin!
Vetëm tri pyetje ke për t’u pyetur,
Do të dënohesh nëse nuk i ke ditur.
————————————————————————————————–
Shpjegim
Varri për ty do të jetë një kopsht prej kopshteve të Xhenetit, ose një gropë prej gropave të Zjarrit. Vëlla, merre këtë këshillë prej nesh! Varrezat vizitoji me qëllim që të largohesh prej epsheve të dynjasë, në mënyrë që të të përkujtohet Ahireti. Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Jua pata ndaluar të vizituarit e varrezave, por tani vizitoni ato, ngase do të largoheni nga të pëlqyerit e kësaj bote dhe ju përkujton botën tjetër.” (Shënon Muslimi). I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “Kur vdes njeriu, sevapet pushojnë t`i arrijnë, përveç në tri raste: sadakasë së rrjedhshme, diturisë prej së cilës ka dobi dhe fëmija i mirë i cili lutet për të.” (Shwnon Muslimi).
Melekët në varr do të t’i bëjnë tri pyetje:
Kush është Zoti i yt?
Cila është feja jote?
Kush ju është dërguar juve për pejgamber?
Nëse i di, do të thërrasë një thirrës nga qielli, duke thënë: “E vërtetoi besimin robi. Vishjani një petk për Xhenet dhe shtrojani shtrojen e Xhenetit.” Por, nëse nuk i di këto pyetje, do të thërrasë një thirrës nga qielli: “Na zhgënjeu, shtrojeni shtrojen e Zjarrit, hapeni derën e Zjarrit…” (Shwnojnw Ahmedi dhe Ebu Davudi).
Bëhu gati menjëherë!
Përndryshe do të futesh në Ferr.
Por, nëse pendohesh e përmirësohesh
Vazhdo Madhërisë së Zotit t’i nënshtrohesh
.
Shpjegim
Bëhu gati, sepse nuk i dihet vdekjes. Allahu, xhele shanuhu, thotë: “Pa dyshim, vetëm Allahu e di Orën e caktuar. Ai e zbret shiun dhe e di ç’ka në barkun e shtatzënës. Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë.” (Llukman, 34). Nëse nuk pendohesh dhe nuk përmirësohesh, atëherë ti me Krijuesin nuk i ke raportet e mira. Megjithatë, nëse pendohesh dhe përmirësohesh, Allahu do të ta pranojë pendimin. Allahu është Mëshirues, në lidhje me këtë thotë: “Mirëpo atyre që pendohen, përmirësohen dhe tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin, sepse Unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.” (Bekare, 160).
Përgatiti: Robi i Allahut, i varfër para Madhërisë dhe Lartësisë së Tij, i dashuri i hoxhallarëve, i sjellshëm me vëllezërit.



