Abdullah ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Kush e lëndon një fekih (jurist islam) e ka lënduar të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem. E ai që e lëndon të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem, veçse e ka lënduar Allahun e Madhëruar.”
Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke e përshkruar të Dërguarin, sal-lAllahu alejhi ue selem,dhe sahabët e tij, thotë: “Vërtet Allahu shikoi në zemrat e robërve, dhe e gjeti zemrën e Muhamedit, sal-lAllahu alejhi ue selem, më të mirën ndër zemrat e robërve, andaj e zgjodhi për Veten e Tij dhe e dërgoi me shpallje. Më pas shikoi në zemrat e robërve, dhe gjeti se zemrat e sahabëve të tij janë më të mirat ndër zemrat e robërve, andaj i bëri ata ministra të të Dërguarit, sal-lAllahu alejhi ue selem, të cilët luftojnë për fenë e Tij.”
Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Lum për atë, i cili do të gjejë në fletushkat e tij(Ditën e Kijametit) shumë istigfar (kërkim-falje prej Allahut).”
Disa nga selefët thoshin: “Për të devotshmin koha e rehatisë është nënshtrim (ndaj Allahut),si dhe koha e nënshtrimit për të është rehati.”
Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Imani është dy pjesë: një pjesë sabër, ndërsa tjetra falënderim.”
Muadh ibën Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Nuk ka gjë që të shpëton më shumë prej dënimit të Allahut sesa përkujtimi i Allahut.”
Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënqur me të, e përmendte Allahun gjatë ditës e natës më shumë se dymbëdhjetëmijë herë. Dhe thoshte: “Kjo është përmendja, që shpëtohem me të nga Zjarri.”
Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Muzika e ngjall nifakun (dyftyrësinë) ashtu siç e ngjall uji bimën.”
Imam Shabiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Vërtet kënga e ngjall në zemër nifakun, ashtu siç e ngjall uji bimën. Vërtet dhikri ngjall në zemër imanin, sikurse e ngjall uji bimën.”
Hababi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dije se ti s`do të afrohesh tek Allahu me diç më të dashur tek Ai sesa fjalët e Tij (Kurani).”
Zejd ibën Eslemi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “O njeri! Frikësoju Allahut, do të të duan njerëzit edhe në qoftë se e urrejnë këtë.“
Imam Ebu Xhafer Tahaviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dashuria për sahabët është fe, besim dhe mirësi, ndërsa urrejtja ndaj tyre është kufër, hipokrizi e tejkalim i kufijve.”
Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dija s`është ajo që mësohet, por dije është ajo që ka dobi.”
Përktheu: Ebu Halid
.



