Disa fragmente nga vepra “Kështu më ka mësuar jeta” Të Mustafa Es-Sibait

1. Ilaçi për plagë “Melhemi më i mirë për plagë është bindja e fortë se gjithçka që ndodh, ndodh me vullnetin dhe caktimin e All-llahut”.
2. Më të rrezikshëm për fenë “Ata të cilët e kuptojnë keq fenë janë më të këqinj për të se ata të cilët nuk u përmbahen aspak parimeve të saj. Të parët gabojnë ndaj Zotit dhe i largojnë njerëzit nga feja duke menduar njëkohësisht se me këtë veprim të tyre ata i afrohen All-llahut.
Ndërsa, sa i përket grupit të dytë, ata i pasojnë epshet dhe pasionet e veta, duke qenë të vetëdijshëm se gabojnë ndaj Zotit, andaj nuk kalon gjatë, e ata pendohen, kërkojnë falje dhe i kthehen All-llahut”.
3. Njerëzit më të këqij “Dy kategori të njerëzve janë më të këqij: Dijetari i cili fenë e vet ia shet sundimtarit, dhe sundimtari i cili Ahiretin (botën tjetër) e shet për dunjallëkun (këtë botë)”.
4. Dënimi “Dënimi për të mençurin është ta mbyllësh me atë që s’e kupton; dënimi për të regjurin është të emërohet udhëheqës i të paregjurve; dënimi për dijetarin është që dituria e tij t’i jepet të paditurit; dënimi për mashkullin është të emërohet gjykatës i femrave kurse dënimi për femrën është t’ia ndalosh të flasë”.
5. Zemra e atij që lakmon “Zemra e atij që lakmon dunjallëkun, nuk e ndien kënaqësinë e vetmisë me All-llahun; zemra e atij që lakmon për lojë, argëtim dhe zbavitje, nuk e ndien kënaqësinë e shoqërisë me fjalën e All-llahut, Kur’anin; zemra e atij që përmallohet për prestigj (famë), nuk e ndien kënaqësinë e përuljes para All-llahut; zemra e atij që lakmon për pasuri, nuk e ndien kënaqësinë e dhënies hua All-llahut, respektivisht dhënies në rrugën e Tij; zemra e atij që gjakon për dëfrimet e epshit dhe pasionit, nuk e ndien kënaqësinë e njohjes së All-llahut; zemra e atij që lakmon për gruan dhe fëmijën, nuk e ndien kënaqësinë e luftës në rrugën e All-llahut. Ndërsa, ai që shpreson shumë, në zemrën e vet nuk e ndien mallin për xhennetin”.
6. Mashtrimi i shejtanit me pretekst të bindjes ndaj All-llahut “Shejtani të mashtron me gruan, me anë të mëshirës ndaj saj. Të mashtron me dunjallëkun, me anë të sigurimit nga të gjitha ndryshimet dhe pasiguritë e tij. Të nxit që të shoqërohesh me njerëz të këqij, duke të dhënë shpresën se ata do të udhëzohen në rrugë të drejtë. Të nxit që të jesh hipokrit para sundimtarëve me qëllim që t’i udhëzosh në rrugë te drejtë. Të nxit që t’i përhapësh të metat e armikut tënd me pretekst të udhëzimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Të nxit që ta përçash bashkimin e shoqërisë (xhematin) me pretekst të nxjerrjes së të vërtetës në shesh. Të nxit që të heqësh dorë nga puna në përmirësimin e njerëzve me pretekst se je i zënë me përmirësimin e vetvetes. Të mashtron duke të thënë që ta lësh xhihadin (luftën në rrugën e All-llahut) me pretekst se njerëzit kanë nevojë për ty tjetërkah. Të shtyn që të mos e pasosh sunnetin duke të thënë ta pasosh praktikën e njerëzve të mirë. Të shtyn që të sillesh në mënyrë diktatoriale dhe t’i nxjerrësh vendimet në mënyrë arbitrare me pretekst të përgjegjësisë para All-llahut dhe njerëzve. Të shtyn që të bësh padrejtësi me pretekst të mëshirës ndaj atyre që u është bërë padrejtësia”.
7. Ji i patundshëm! “Ji i patundshëm në shtatë raste:
1. Kur të përleshesh me armikun;
2. Kur të gjendesh para diktatorit;
3. Kur të mbizotërojë ngatërrimi;
4. Kur të të godasë e keqja;
5. Kur të vërshojnë fatkeqësitë dhe sprovat;
6. Kur të jesh në burgun e ndonjë sundimtari dhe
7. Në momentin e mendjelehtësisë së një femre të lëkundshme”.
8. Në një zemër kurrë nuk bashkohen “Kurrë nuk bashkohen në zemrën e një dijetari dashuria ndaj All-llahut dhe miqësia me diktatorët”.

 

* Shqipëroi: Jahja Hondozi ______________ * Shih: Dr. Mustafa es-Sibai, “Hakedha al-lemetni el-hajatu”, Dar-us-selam, Kairo, 1418/1998.

 

 

.