Devotshmëria

Ajete kur`anore

* O njerëz, Ne ju kemi krijuar juve prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që ta njihni njëri-tjetrin. Më fisniku tek All-llahu është ai i cili më së shumti i ruhet Atij. All-llahu, me të vërtetë, është shumë i dijshëm dhe i informuar mirë. (El-Huxhurat : 13)

* … rrobat e devotshmërisë janë më të mirat … (El-A’raf : 26)

* … Devotshmëria është furnizimi më i mirë; dhe frikësomuni Mua, o të mençur! (El-Bekare : 197)

* All-llahu është me të vërtetë në anën e atyre të cilët frikësohen dhe largohen prej mëkateve dhe në anën e atyre që bëjnë vepra të mira, janë bëmirës.
(En-Nahl : 128)

* … e ai që i ruhet All-llahut, për atë ka rrugëdalje. Dhe do ta furnizojë prej nga nuk e kujton fare … (Et-Talak : 2-3)

* Atë, botën tjetër, do t’ia japim atyre të cilët nuk lakmojnë madhështinë në këtë botë as duan çrregullime, ndërkaq ardhmëria u takon të devotshmëve. (El-Kasas : 83)

* Dhe shpejtoni për të kërkuar falje nga Zoti juaj dhe për në xhennet, gjerësia e të cilit kap qiejt dhe tokën, e është përgatitur për të devotshmit. (Ali Imran : 133)

* … Bëhuni të drejtë, ajo është më së afërti devotshmërisë dhe frikësojuni All-llahut, sepse All-llahu është i informuar mirë se çka bëni. (El-Maide : 8)

 

Hadithe pejgamberike

* I dërguari a.s. njëherë u tha sahabëve të vet: A e dini se cilat janë gjërat që më së shumti do t’i fusin njerëzit në zjarr? Ata thanë: All-llahu dhe i dërguari i Tij e dijnë më së miri. Pejgamberi a.s. tha: Ato janë: Goja (Gjuha) dhe organi gjenital. Pastaj u tha: A e dini se çka do t’i fusë më së tepërmi në xhennet? Të pranishmit thanë njësoj: All-llahu dhe i dërguari i Tij e dijnë më së miri. Atëherë,
i dërguari a.s. u tha: Gjërat që më së shumti do t’i fusin njerëzit në xhennet janë: Devotshmëria dhe morali i mirë.
(Transmetojnë Buhariu, Tirmidhiu, Bejhekiu, Ibn Hibbani dhe Hakimi)

* Shtatë persona All-llahu do t’i vendosë nën hijen e Tij, atë Ditë, kur nuk do të ketë hije tjetër përveç saj; ata janë:
Sunduesi i drejtë; i riu që është rritur në adhurim dhe bindje ndaj All-llahut; njeriu, zemra e të cilit është e lidhur për xhamitë; dy njerëz të cilët në emër të All-llahut janë dashur, janë shoqëruar dhe të tillë janë ndarë; njeriu, të cilin e thërret një grua autoritative dhe e bukur, kurse ky i përgjigjet se i frikësohet All-llahut; njeriu i cili e ndan lëmoshën fshehtas, ashtu që dora e majtë nuk din sa ndan e djathta dhe një njeri i cili e përkujton All-llahun në vetmi dhe i mbushen sytë me lot. (Muttefekun alejhi)

* Devotshmëria është këtu (tha i dërguari a.s. duke bërë me shenjë tri herë kah gjoksi i tij). (Transmeton Muslimi)

* Frikësoju All-llahut kudo që të jesh; pas çdo të keqeje, bëje një të mirë, e cila do ta fshijë atë; sillu ndaj njerëzve me moral dhe sjellje të mirë.
(Transmeton Taberani)

* Nuk ka përparësi arabi ndaj joarabit e as joarabi ndaj arabit; as i kuqi ndaj të ziut e as i ziu ndaj të kuqit pos me devotshmëri; të gjithë njerëzit janë pasardhësit e Ademit, ndërsa Ademi e ka prejardhen nga dheu.
(Nga hutbeja lamtumirëse e të dërguarit a.s.)

* Kush i shikon bukuritë e një femre dhe menjëherë e ul shikimin, All-llahu do ta pajisë me adhurim të tillë, ëmbëlsinë e të cilit do ta ndiejë në zemrën e tij.
(Transmetojnë Ahmedi dhe Taberani)
Thënie të ndryshme

* Kush dëshiron të jetë i devotshëm me të drejtë, le t’i braktisë të gjitha mëkatet. (Sehl ibn Abdullah)

* Devotshmëria e besimtarit pasqyrohet në tri gjëra:
1. Mirësjelljen e mbështetjes në atë që nuk e ka arritur;
2. Mirësjelljen e të qenit i kënaqur në atë që e ka arritur dhe
3. Mirësjelljen e durimit në atë që i ka shpëtuar. (Këshillë e Davudit a.s. birit të tij, Sulejmanit a.s.)

* Devotshmëri do të thotë: Të kesh frikë nga i Madhëruari, të kënaqesh me pak, të përgatitesh për botën tjetër dhe të punosh sipas Kur’anit.

 

(Disa dijetarë islamë)

* Njeriu dëshiron t’i jepet ajo çka shpreson ndërsa All-llahu refuzon dhe bën atë çka Ai do.
Njeriu vazhdimisht thotë: Ah, dobia dhe pasuria ime! ndërsa devotshmëria ndaj All-llahut sjell më së shumti shpërblime. (Ebu Derda)

* Rregulloji raportet ndërmjet teje dhe All-llahut, e All-llahu do t’i rregullojë raportet ndërmjet teje dhe njerëzve tjerë. (? ? ?)

* Pyete veten çdo ditë: “Ku do të jem pas njëqind vjetëve?” Merre këtë si bazë dhe vepro asisoj duke patur këtë gjithnjë në mend. (? ? ?)

* Sikur të falje namaz derisa të të lakohej shpina dhe të agjëroje derisa të të sëmurej trupi, e tërë kjo nuk do të të bënte fare dobi, përveç se me devotshmëri të sinqertë. (El-Hasan el-Basri)

* Devotshmëria nuk qëndron në veshjen e rrobave të bukura; ajo pasqyrohet në brendësi të zemrës dhe vërtetohet me punë dhe vepra. (El-Hasan el-Basri)

* Nëse e sheh ndonjë njeri që fluturon në ajër, ec nëpër det, përbin zjarr dhe bën gjëra të ngjashme, mirëpo njëkohësisht e lë një obligim nga obligimet e All-llahut apo një sunet prej suneteve dhe këtë me qëllim, atëherë dije se ai gënjen në ato gjëra që thirr e fton si dhe kjo vepër e tij nuk konsiderohet mrekulli (keramet) por istidraxh*, All-llahu na ruajtë nga kjo! (Një prej dijetarëve islamë)

* Ruaju nga tri gjëra në mënyrë që ta ndalosh shejtanin të depërtojë në brendësinë tënde:

1. Mos u vetmo me një grua assesi, as me pretekst se ia mëson Kur’anin;
2. Mos hyr tek asnjë prijës, as me pretekst se e urdhëron në të mirë dhe e ndalon nga e keqja;
3. Mos u shoqëro me novatorin (atë që shpik diçka të re), pasi që ai ta sëmurë zemrën dhe ta prish trupin. (El-Hasan el-Basri)

* Adhurimi më i vlefshëm është kryerja e obligimeve dhe braktisja e ndalesave.
(Umer ibn Abdul-Aziz)

* Nëse e sheh ndonjë njeri duke fluturuar në ajër, mos e merr për shembull derisa t’i masësh fjalët dhe veprat e tij në peshojën e sherijatit. (Er-Rifai’)

* O njeri, kur t’i shohësh njerëzit duke bërë vepra të mira, garo me ta; kur t’i shohësh duke bërë vepra të liga, lëri ata dhe atë që kanë zgjedhur për veten e tyre. (El-Hasan el-Basri)

* Kush dëshiron të dijë sa besimtar i fortë është, le t’i krahasojë veprat e veta me urdhërat e Kuranit. (El-Hasan el-Basri)

* Nëse e sheh ndonjë njeri i cili garon për ta fituar këtë botë, garo me të për ta fituar botën tjetër. (El-Hasan el-Basri)

* O njeri, shite këtë botë për botën tjetër në mënyrë që t’i fitosh të dy botët, e assesi mos e shit botën tjetër për ta fituar këtë botë ashtu që t’i humbësh të dyja;
qëndrimi këtu është i shkurtë, ndërsa atje – i gjatë. (El-Hasan el-Basri)

* Mos e nënçmo asnjë për shkak të rrobave të tij të vjetra, ngase Zoti i tij dhe Zoti yt është një. (Prej këshillave të Llukmanit, dhënë të birit)

__________
* Istidraxh – tërheqje e cila dalëngadalë e afron njeriun kah poshtërimi dhe shkatërrimi.
Përgatiti:
Jahja Hondozi

 

 

.