Unë dhe ti …
Ai dhe ajo…
Filani e filani …
Secili prej nesh synon të arrijë diçka në këtë botë … Ndoshta në këtë çast je thelluar në punë e cila të sjell furnizim dhe të mira materiale …
Apo je mbi tavolinë duke ngrënë ndonjë ushqim të shijshëm …
Apo je shtrirë në shtratin tënd të butë dhe ke rënë në një gjum të thellë …
Apo ushtron ndonjë sport në mënyrë që të fitosh një trup të zhvilluar, të shëndoshë e të fortë …
Apo ndoshta je duke e kaluar pushimin e fundjavës në ndonjë breg deti duke e soditur bukurinë e natyrës …
Apo ndoshta je në xhami duke e falur namazin …
Apo duke lexuar ndonjë pjesë nga Kur’ani …
Apo duke e përmendur All-llahun …
Apo je duke bërë ndonjë gjë krejtësisht tjetër!
Ndoshta je duke dëgjuar muzikë të zhurmshme, përplot me tema dashurie e paturpësi …
Apo je duke shikuar në televizor trupa femrash lakuriqe duke kërcyer …
Apo je duke bërë ndonjë paturpësi …
Apo … !
Sido që të jetë, të gjitha këto gjëra, mund t’i bësh apo të mos i bësh, mund t’i kryesh apo të largohesh prej tyre. Ti, dhe vetëm ti, mund të vendosësh këtë, në fillim dhe në fund.
Thjesht, ti mund të shkosh në punë apo të mos shkosh!
Mund të hash apo të mos hash!
Mu ashtu siç mund të falesh apo të mos falesh!
Ta përmendësh All-llahun apo të mos e përmendësh!
T’i bësh paturpësitë apo t’i lësh!
Të gjitha këto që u cekën varen vetëm nga ti, andaj e drejta eksluzive për zgjedhjen e këtyre veprave të sapopërmendura të takon vetëm ty!
Mirëpo … ekziston një gjë e vetme të cilën duhet ta bësh patjetër në këtë botë. Dhe ajo çka e bën të dallohet kjo vepër nga ato të lartpërmendurat është se ti nuk ke të drejtë zgjedhjeje ndërmjet kryerjes apo lënies së saj!
Përkundrazi, ti duhet ta kryesh patjetër atë, o deshe o s’deshe, të pëlqefte ty apo s’të pëlqeftë!
Kjo vepër, të cilën e ke për detyrë ta kryesh patjetër – herët a vonë – është vdekja.
Më pas, do të transferohesh në një “shtëpi” të re, respektivisht në një jetë krejtësisht tjetër.
E kjo “shtëpi e re” e jotja nuk është asgjë tjetër pos një gropë e ngushtë dhe e errët, e cila mezi të mjafton për qëndrim.
Dhe kjo nuk është e tëra. Përveç kësaj, aty, poashtu do të jesh i mbuluar me dhé, gjë që paraqet një barrë mjaft të rëndë …
Aty, në atë gropë, nuk do të gjesh aparate ftohjeje ditëve të nxehta me diell!
Sikundër që nuk do të gjesh aparate ngrohjeje ditëve të ftohta me acar!
Përreth teje, gjithandej, sillen krimbat dhe insektet e llojllojshme të cilat mundohen ta grisin qefinin tënd në mënyrë që të arrijnë deri tek trupi yt e ta hajnë mishin e tij.
Kurse ti, megjithëkëtë, nuk e din si do të jetë kjo jetë e jotja në këtë “shtëpi të re”.
A do të jesh prej të lumturve?
Apo prej të mjerëve?
E gjithë kjo varet nga “PUNA JOTE” të cilën “E KE ZGJEDHUR” që më parë.
Kjo është vërtet një gjë e tmerrshme dhe e frikshme …
Mirëpo, derisa je duke i lexuar këta rreshta, end e ke rast të volitshëm për t’u kthyer dhe penduar tek All-llahu i Lartësuar.
Shfrytëzoje këtë rast – All-llahu të ruajtë – ngase jeta në këtë botë zgjat vetëm disa ditë të numëruara, e më pas do të thuhet: “VDIQ FILANI”, All-llahu e mëshiroftë!
Andaj, puno atë me çka All-llahu do të jetë i kënaqur me ty!
Në këtë mënyrë do të jesh prej të lumturve në “shtëpinë tënde të re”.
I dërguari i All-llahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur njeriu vendoset në varr, i vijnë dy engjuj – njëri nga të cilët quhet Munkir dhe tjetri Nekir – dhe i thonë: “Çka thoje ti për këtë njeri?” Përsa i përket besimtarit, ai do të thotë: “Atë që thoshte edhe ai, robi i All-llahut dhe i dërguari i Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos All-llahut dhe se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Tij”. Ata do t’i thonë: “Ne e kemi ditur se ti do të përgjigjesh kësisoj”. Pastaj do t’i ndriçohet varri dhe do t’i zgjerohet për shtatëdhjetë kute e më pas do t’i thuhet: “Flij i qetë”. Ai do të thotë: “Sikur të kisha mundësi të kthehem tek familja ime e t’i lajmëroj”! Engjujt do t’i thonë: “Flij sikurse dhëndri, të cilin e zgjon personi më i dashur për të”. Kështu do të jetë derisa All-llahu ta ringjallë nga gjumi
i tij. E, përsa i përket munafikut (dyfytyrëshit), ai do të thotë: “I dëgjoja njerëzit se shqiptonin diç, andaj edhe unë shqiptoja si ata. Nuk e di”. Ata do t’i thonë: “Ne e kemi ditur se ti do të përgjigjesh kësisoj”. Pastaj do t’i thuhet tokës: “Shtrëngoje fort”! Dhe toka do ta shtrëngojë aq fort sa do t’i përzihen eshtrat e tij. Kësisoj do të dënohet derisa All-llahu ta ringjallë nga gjumi i tij”.
(Hadithi është hasen (i mirë). Sahihu-l-xhami’, nr. 724.)
Nga arabishtja: Jahja Hondozi
.



