Qëndrimi tek fisi Benu Sa’d (pjesa e dytë)

Arabët që jetonin në qytet e kishin zakon që foshnjeve t’u gjejnë mëndeshë dhe atë nga fshatrat dhe shkretëtira, duke dëshiruar kështu t’i largojnë fëmijët e vet nga sëmundjet e qytetit. Fëmijët duhej të përkun­deshin në ajr të pastër, të forcoheshin shpirtërisht dhe të flisnin gjuhën e pastër arabe.

Kështu edhe Abdul Muttalibi del të kërkojë mëndeshë (gruaja që u jep gji foshnjeve) për nipin e vet. Bien në ujdi me Halimen nga fisi Benu Sa’d ibën Bekër, vajzën e Ebi Dhuejbit. Burri i saj quhej El-Harith b. Abdul-Uzzaji, me ofiqin Ebi Kebsheh, po nga fisi i Halimes.

Muhammedi a.s. ka pasur vëllezër mëndorë (të qumështit). Këta janë: Abdullah b. (el)-Harithi, Enisa, vajza e Harithit, Hudhafeh ose Xhuzema, vajza e Harithit, të cilën e quajtën Shejma. Ajo e donte dhe e mbante në duar Muhammedin a.s. pastaj Ebu Sufjan b. Harith b. Abdul Muttabi, djali i mixhës Resulull-llahut a.s.

Mixha i Resulull-llahut a.s., Hamza, po ashtu ka pasur mëndeshë nga fisi Benu Sa’d ibën Bekër, e një herë i ka dhënë gji edhe nëna e Resulull-llahut a.s. kur ka qenë në vizitë tek Halimja. Hamza ka qenë vëllai mëndorë i Resulull-llahut a.s. nga dy anët, prej Thuvejbes dhe Halimes. Halimja, me Resulull-llahun a.s. ka përjetuar bereqet (mba­rësi) të papritur si dhe ngjarje interesante.

Ibni Is’haku shkruan: “Halimja tregon se një ditë ishte nisur me burrin dhe me djalin e vogël, të cilin ende e kishte në gji, me një grup grash nga fisi Sa’d ibën Bekër, për të kërkuar punë (gratë vinin në Mekë dhe merrnin foshnje për t’u dhënë gji). Kjo ka ndodhur në një vit kur nuk kemi pasur ushqim. Jemi nisur me një deve e cila, për Zotin, nuk jepte asnjë pikë qumësht. Askush prej nesh nuk ka fjetur nga të qarët e fëmijës tonë të uritur, i cili nuk ka mundur të ngopej nga gjoksi im. I luteshim Zotit që të na nxjerrte nga kjo situatë e vështirë. Kështu mbërrimë në Mekë. I shikonim foshnjat e posalindura dhe çdonjërës prej nesh na ofruan Resulull-llahun a.s., por asnjëra nuk donte ta merrte, sepse ishte jetim – pa babë. Natyrisht, ne shpresonim që të na paguante babai i foshnjës. Çdonjëra prej nesh thoshte: “Jetim, çka mund të bëj për të nëna dhe gjyshi!?” Andaj nuk dëshironim t’i marrim jetimët. Ndërkaq, çdo grua që kishte ardhur me mua gjeti për vete fëmijë për gji, përveç meje. Kur bëheshim gati për t’u kthyer, i thashë burrit: “Pasha Zotin, ndihem e poshtëruar sepse të gjitha shoqet e mia gjetën për vete foshnjë për gji. Nuk mund të kthehem në shtëpi kështu e mjerë. Pasha Zotin, vajta mbrapa ta marr atë jetim.” “Mos bën merak, gjithsesi vepro kështu, ndoshta All-llahu me të do të na jep bereqet.” Ajo pastaj vazhdoi tregimin: “Vajta ta marr fëmijën vetëm për shkak se nuk gjeta tjetër. Pastaj, kur e mora, e solla te karvani dhe e vura në gji. Ai i pranoi gjinjtë e mi dhe thithte e thithte gjersa u ngop. Pas tij u ngop edhe djali im. Pastaj Muhammedi fjeti, e fjeti edhe djali im, nga vaji i të cilit (nga uria) nuk kemi mundur ta bëjmë asnjë sy gjum natën e kaluar. U çua burri im dhe shkoi te deveja, kur, çka me pa, asaj iu kishin fryer gjinjtë. Pastaj e mjeli dhe pimë që të dy gjersa u ngopëm. Atë natë fjetëm mirë. Kur u zgjuam, burri më tha: “Oj Halime, dije se pasha Zotin, e ke marr një fëmijë me fat dhe me bereqet!” Unë u përgjigja: “Edhe unë kam dëshirë të jetë ashtu.” Pastaj u nisëm. Unë me fëmijët i hipa devesë. Deveja ishte e fuqishme dhe e shpejtë, andaj shkova mjaft përpara shoqeve, kështu që ato më britën: “Oj e bija e Vehbit, çka të ndodhi! Pritna pakëz neve, a është ajo e njëjta deve me të cilën ke vajtur së bashku me ne?” “Po, për Zotin”, u përgjigja: “Ajo vetë është.” “Nuk është e mundur”, thanë ato. “Ka ndodhur diç me të.”

Pastaj mbërritëm në fshatin tonë – tokë e Beni Sa’dëve. Nuk kam njohur tokë më të thatë se kjo. Delet tona gjithnjë ktheheshin të uritura në shtëpi, por kur erdhëm me Muhammedin ato u kthyen nga kullosat të ngopura dhe me plotë qumësht, pastaj i molëm dhe u ngopëm me qumësht. Fqinjët tanë, duke e ditur se delet tona, gjer atëherë nuk kishin pasur asnjë pikë qumësht, u thoshin barinjve të vetë: “Të mjerët ju, pse nuk i kullotni delet atje ku kullosin kopetë e bijës të Vehbit.” Por, gjithnjë ndodhte e njëjta gjë. Delet e tyre ktheheshin të uritura dhe pa qumësht, kurse të miat të ngopura dhe me qumësht. Përmes kësaj gjithnjë e ndienim mirësinë e Zotit, ndihmën dhe furnizimin e tij. Kjo zgjati derisa Muhammedi i mbushi dy vjet. E ndava nga gjiri sepse dukej më i fuqishëm dhe më i madh se moshatarët e tij. Atëherë ven­dosëm t’ia dërgojmë nënës së vet, ishim të pikëlluar dhe të mjerë për shkak të ndarjes.

Nënës së tij i treguam se çfarë mbarësie kishim në shtëpi me të dhe i thashë: “Sikur ta lishe tek ne edhe pak kohë që të forcohet edhe më, do ta kishte më mirë se në qytet. Kam frikë se do t’i bën keq ajri i qytetit.” Halimja vazhdoi: “As që kemi shpre­suar, e Emin­ja menjëherë vendosi ta marrim fëmijën mbrapa me vete.

Kështu Resulull-llahu a.s. mbetet tek Benu Sa’dët. Ishte në moshën katër-pesë vjeç, kur ka ndodhur një ngjarje – njëra nga mu’xhizet e Re­sulull-llahut a.s. “Hapja dhe pastrimi i kraharorit të Muhammedit a.s.”

Muslimi transmeton nga Enesi se Resulull-llahut a.s. i erdhi Xhibrili derisa ai luante me fëmijë. Ai e merr këtë, e shtrin për toke, ia hapë kraharorin gjer tek zemra, ia nxjerrë zemrën jashtë dhe nga zemra nxjerr një koagulim (piksje) dhe thotë: “Me këtë shejtani ka mundur të të bëj dëm.” Pastaj ia pastruan zemrën në një legen të artë ku ka pasur ujë të Zem-zemit, pastaj e qepë dhe përsëri e vënë në vend të vet. Fëmijët tjerë vajtën tek ndrikulla e tij duke britur: “Muhammedi është i mbytur!” Kur e panë përsëri, fytyra e tij kishte ngjyrë tjetër.”

 

Marrë nga libri: NEKTARI I VULOSUR I XHENNETIT Autor: Safijjurrahman El-Mubarekfuri

 

.

No comments yet.

Leave a Reply