Kur Resulull-llahu a.s. ishte tridhjetë e pesë vjeç, kurejshitët vendosën të ndërtojnë Ka’ben e cila gjer atëherë ishte një grumbull gurësh në një truall pak sa të ngritur. Ishte e lartë nëntë arshin që nga koha e Ismailit a.s. Nuk kishte kulm, andaj disa vjedhës e kishin vjedhur një arkë me ari e cila gjendej asokohe brenda këtij grumbulli. Për shkak të traditës së vet dhe vlerës së madhe historike, si dhe themelet të cilat i ka vënë Ibrahimi a.s. Ka’ben gjithnjë e kanë vizituar të gjithë kalimtarët e Mekës. Ngjante që shumë prej tyre të merrnin me vete nga një copë dhe apo gur si simbol shenjtërie dhe bereqeti. Pesë vjet para pejgamberllëkut të Resulull-llahut a.s. Ka’ben e kaplon përmbytja pas shpërthimit së pendës Arem. Kurejshitët u frikësuan sepse Ka’bja ishte gati të rrënohej, andaj vendosën ta rindërtojnë duke i ruajtur themelet dhe vendin e saj të mëparshëm. Vendosën që ta ndërtojnë vetëm me pasurinë e fituar në mënyrë të ndershme – pa përzierje të kamatës, ryshfetit, të hollave të vjedhura dhe të plaçkitura. Ata frikësoheshin t’i rrëzojnë mbeturinat ekzistuese të Ka’bes. Këtë e filloi El-Velid b. Mugire El-Mahzumi, e të tjerët pas tij pasi që, gjatë spastrimit këtij nuk i ndodhi asgjë e keqe. E rrëzuan gjer në themel tërë atë që kishte ndërtuar Ibrahimi a.s. E përpiluan edhe planin e ndërtimit të Ka’bes. Çdo fisi i caktuan se sa do të sjellte gurë dhe cilën pjesë të murit do ta ndërtonte, kështu që të gjithë të jenë pjesëmarrës në ndërtim. E sollën një ndërtues Romak, të quajtur Bakum, dhe ndërtimi shkonte sipas planit gjersa nuk erdhën në lartësi të vendit ku duhej vendosur Haxherul-esvedin (Gurin e Zi). Çdo fis e konsideronte vetën të privilegjuar që këtë punë të ndershme ta bënte ndonjëri prej tyre. Grindja mes tyre zgjati katër apo pesë ditë dhe kanosej rreziku që të shpërthente përleshje e përgjakshme rreth tempullit të Shenjtë në tokën e Shenjtë. Në tërë këtë tollovi më i maturi ishte Ebu Umejje b. El-Mugire El-Mahzumi, i cili jep këtë propozim: personi i parë, i cili paraqitet në dyert e Haremit të Ka’bes le ta zgjedh këtë problem dhe le të vendos.
All-llahun xh.sh. ka dashur që ky person të jetë Resulull-llahu a.s. Kur e panë brohoritën: “El-Emini, El-Emini (sepse ka qenë i njohur me këtë ofiq, që në përkthim do të thotë: i besueshëm, besnik), jemi të kënaqur që ky të vendos, ky është Muhammedi!”
Kur u afrua Resulull-llahu a.s. më afër, ata ia parashtruan çështjen dhe kërkuan zgjidhje nga ai. Resulull-llahu a.s. kishte zgjidhje: Ai kërkoi një copë pëlhurë, e shtriu në tokë dhe mes e vuri “gurin e Shenjtë”, pastaj u tha kryeparëve të fiseve të ngatërruara të afrohen, ta kapin nga një kind të pëlhurës dhe të gjithë së bashku ta ngrisin “gurin e Shenjtë” gjer tek vendi ku do të vendosej. Pastaj Resulull-llahu a.s. e mori atë me duar të veta dhe e vuri ku duhet. Ky ka qenë veprim i mirë me të cilin ishin të kënaqur të gjitha palët.
Kurejshitëve iu harxhohet pasuria e pastër – hallall për ndërtim, andaj nga ana veriore e ndërtuan murin në lartësi prej gjashtë arshinëve, sot i quajtur muri-Hatim apo muri i Gurit. Në këtë mur e bënë derën dhe e ngritën nga toka që të mos mund të hyjë në Ka’be kush të dojë, por vetëm ai, të cilit i lejohet. Kur ndërtimi i Ka’bes arrinë lartësinë pesëmbëdhjetë arshin, e bëjnë plafonin të mbështetur në gjashtë shtylla. Me këtë ndërtim Ka’bja merr trajtën e vet katrore më përmasa përafërsisht të njëjta: Lartësia është përafërsisht pesëmbëdhjetë metra, gjatësia e murit në të cilin është Haxherul-esvedi është dhjetë metra, sikurse edhe muri tjetër kundruall këtij. Guri gjendet në lartësi prej 1,5 m. nga fundamenti ku bëhet tavafi. Muri ballor në të cilin gjendet dera, është i gjatë dymbëdhjetë metra sikurse edhe ai kundruall tij. Dera e Ka’bes është vendosur dy metra në lartësi nga toka. Nga ana e jashtme Ka’ben e rrethon rrethi prej gurëve në lartësi njëzet e pesë centimetra e në gjerësi tridhjetë centimetra. Këto janë, në realitet, blloqe gurësh nga godina e parë, e që janë ruajtur në këtë mënyrë.
.



