Kur u kthye Resulull-llahu a.s. në Mekë, Hatixhja u befasohet shumë me suksesin e arritur në tregti. Mejseri i tregon për bujarinë dhe besnikërinë e Resulull-llahut a.s. dhe i thotë se kjo ka qenë një nga shkaqet e fitimit të madh. Hatixhja njëkohësisht qe e kënaqur dhe e befasuar. Ishte e vejë dhe gjer atëherë e kishin kërkuar shumë pasanikë të njohur, zotërinjtë e Mekës, por ajo i kishte refuzuar, sepse dëshironte t’i përkushtohej vetëm tregtisë. Por, atë që ndjeu ndaj Resulull-llahut a.s. nuk mundi ta fshihte prej shoqes së vet Nefises, bijës së Menijjetit. Nefiseja nuk heshti për këtë por drejtpërdrejtë vajti tek Resulull-llahu a.s. dhe i tha haptazi që të martohet me Hatixhen. Ai u pajtua me këtë dhe bisedoi me xhaxhallarët e vet, të cilët pajtohen dhe me anë të ungjit të Hatixhes i fejojnë. Menjëherë pas fejesës u bë edhe martesa. Në aktin e kurorëzimit ishin të pranishëm Benu Hashimitët dhe paria e Medarve. Kjo ndodhi vetëm dy muaj pas kthimit të tij nga Shami, kurse versioni më i saktë është pas njëzet ditësh. Hatixhja atëherë ishte dyzet vjeç. Në atë kohë ishte gruaja më e dalluar e Mekës, sipas origjinës, pasurisë dhe mendjemprehtësisë. Kjo është gruaja e parë me të cilën është martuar Resulull-llahu a.s. dhe gjatë jetës së saj nuk ka pasur tjetër grua.
Hatixhja i ka lindur të gjithë fëmijët e Resulull-llahut a.s. përveç Ibrahimit. Më së pari u lind Kasimi, sipas të cilit e kanë quajtur Resulull-llahun a.s. Ebu Kasim. Pastaj është lindur Zejnebja dhe Rukija, mandej Ummu Kulthum dhe Fatimja, e pastaj djali Abdullahu të cilin e kanë quajtur i “Miri” dhe i “Pastërti”. Djemtë i kanë vdekur në djalëri kurse të gjitha vajzat kanë përjetuar Islamin dhe Shpalljen, dhe janë bërë myslimane, muhaxhire. “Muhaxhire” do të thotë se të gjitha janë shpërngulur nga Meka në Medinë, përkatësisht, kanë bërë hixhretin. Megjithatë, të gjitha vajzat i kanë vdekur gjatë jetës së Resulull-llahut a.s. përveç Fatimes, r.a., e cila vdes gjashtë muaj pas babait të vet.
.



