Në bazë të luftës paraprake u bë betimi për muajin e shenjtë dhul-ka’de, iniciatorët e të cilit kanë qenë kurejshitët, dhe atë këto familje: Benu Hashim, Benu Muttalib, Esed b. Abdul Uzzaj, Zehreh b. Kulab dhe Tejma b. Merreh. Përfaqësuesit e këtyre familjeve u mblodhën në shtëpinë e Abdullah Xhedanit et-Temijut, sepse ishte më i vjetri prej tyre dhe ishte shumë i ndershëm dhe bujar. Lidhën marrëveshjen se në Mekë nuk guxon të jetë askush i nënshtruar e as i terorizuar, qoftë ai mekas ose mysafir, e të mos jenë ata në anën e tij e kundër zullumqarit, përderisa ky nuk ndalet. Në këtë marrëveshje ka qenë prezent edhe Resulull-llahu a.s. e kur All-llahu xh.sh. e ka prirur me shpallje, ka deklaruar: “Kam qenë prezent në shtëpinë e Abdullah b. Xhedanit kur u lidh marrëveshja e cila më pëlqeu, e po qe se në Islam do të ftohesha për diç të tillë, do të përgjigjesha me dëshirë.”
Kjo marrëveshje është rezultat i fanatizmit paraislamik që ka rezultuar nga “asabijja”. Asabijja është fryma e gjinisë e cila nënkuptonte besnikërinë e domosdoshme ndaj farefisit të vet.
Të shohim se cili ishte shkaku i lidhjes së aleancës dhe nënshkrimit të marrëveshjes mbi dinjitetin e njeriut. Një njeri nga fisi Zubejd erdhi në Mekë për të shitur mallin. Këtë mall e bleu El-As b. Vail Es-Sehmi, por nuk e bëri pagesën ashtu siç duhej. Tregtari e luti që ta bënte pagesën siç duhet dhe i ftoi përfaqësuesit e familjeve. Abdu-Dar, Mahzum, Xhumh, Sehm dhe Ad që t’i ndihmojnë, por këta nuk e përfillën as njeriun e as ngjarjen. Atëherë tregtari thërret një poet dhe e lutë që në treg t’i recitonte disa vargje me të cilat do të përshkruante padrejtësinë dhe dhunën që i ishte bërë. Dhe, derisa poeti recitonte, aty pari kaloi Zubejr b. Abdul-Muttalibi dhe pyeti: “Çka është shkaku i këtyre vargjeve?” Kur mori vesh shkakun, i mblodhi njerëzit e sipërpërmendur që të marrin vendimin për respektimin e dinjitetit njerëzor, si për banorët e Mekës ashtu edhe për të huajt që vinin në Mekë. Pastaj të gjithë të tubuarit vajtën tek El-As b. Vaili të cilin e detyruan t’i jap tregtarit të drejtën e tij.
.



