Lindja (pjesa e parë)

Më i dalluari Pejgamber, Resulull-llahu a.s. u lind në familjen Beni Hashim në Mekë, në mëngjesin e ditës së hënë, më nëntë rebiul-evvel, në vitin e parë të ngjarjes me “elefantin”, ose dyzet vjet pas sundimit të mbretit persian Kisras (Kserksit) – Enu Shervanit. Kjo datë i përgjigjet 20 ose 22 prillit të vitit 571 sipas kalendarit. Këtë datë e ka llogaritur dijetari i madh Muhammed Sulej­man El-Mensur Fevri dhe astronomi i shquar Mahmud Pasha.

Ibni Seadi transmeton se nëna e Resulull-llahut a.s. ka thënë: “Kur e kam lindur, bashkë me të kam lindur edhe një dritë të madhe, nga e cila kanë shkëlqyer pallatet e Shamit.” Ngjashëm transmeton edhe Ahmedi nga El-Urbad ibën Sarijeh.

Gjithashtu flitet se, gjatë lindjes së Muhammedit a.s. kanë ndodhur disa ngjarje të çuditshme në botë, të cilat kanë qenë parashenja të pej­gamberllëkut të tij:

Janë rrëzuar katërmbëdhjetë pyrgje nga kështjella e Kserksovit në Persi, është shuar zjarri të cilin shekuj me radhë e kanë adhuruar fari­sejët në Indi, janë rrënuar kishat rreth liqenit “Savit” pasi që është tharë liqeni. Këtë e transmeton Bejheki, e Gazaliu nuk pajtohet me këtë.

Kur Eminja e sjellë në botë fëmijën, e thërret gjyshin e tij Abdul- Muttalibin për t’ia kumtuar lajmin e gëzueshëm. Ai, plotë gëzim, e merr djalin në duar dhe e dërgon në Ka’be. Aty i lutet All-llahut dhe e falënderon për nipin. Aty edhe ia vënë emrin Muhammed – e që me siguri dihet se ky emër nuk ka qenë i njohur ndër arabët. Synetia është bërë shtatë ditë pas lindjes, siç ka qenë zakon tek arabët.

Gruaja e parë që i ka dhënë gji, pas nënës së vet, ka qenë Thuvej­bja, e mbrojtura e Ebu Lehebit, e cila e ka pasur një foshnjë në gji me emrin Mesruh. Para Muhammedit a.s. i ka dhënë gji Hamzës, djalit të Abdul-Muttalibit, e pas tij i ka dhënë gji Ebu Seleme b. Abdul-Esed El-Mahzumit.

Marrë nga libri: NEKTARI I VULOSUR I XHENNETIT

Autor: Safijjurrahman El-Mubarekfuri

 

.

No comments yet.

Leave a Reply