
Abdul-Muttalibi kthehet me Muhammedin a.s. në Mekë. Të tëra ndjenjat e tij, të mirësisë, të bujarisë dhe të dashurisë i ishin drejtuar nipit jetim, të cilin e gjeti një tragjedi e re që vetëm ia rihapi plagën e vjetër që s’ishte mbyllur ende – së pari i ati, e tani edhe e ëma!
Gjyshi ishte më i mëshirshëm ndaj Muhammedit a.s. se sa ndaj djemve të vetë. Asnjëherë nuk e linte vetëm, gjithnjë ishte dikush me të.
Ibni Hishami thotë: “Abdul-Muttalibi e kishte një shilte të vet nën hijen e Ka’bes. Djemtë e tij uleshin rreth shiltes dhe nga respekti asnjëri nuk tentonte të ulej në vendin e babait. Por kur paraqitej Resulull-llahu a.s. – nipi, ulej mes të shiltes. Xhaxhallarët e tij, djemtë e Abdul-Muttalibit donin ta largonin, por Abdul-Muttalibi u thoshte: “Lëreni mos e çoni Muhammedin, djalin tim. Ai gëzon vend të posaçëm tek unë.”
Pastaj e ulte pranë, ia ledhatonte shpinën me dorë dhe gëzohej për çdo gjë që bënte Muhammedi a.s.
Në moshën tetë vjeç, dy muaj e dhjetë ditë, Resulull-llahu a.s. e humb edhe gjyshin e vet. Ky vdes në Mekë, duke dëshiruar që kujdesin ndaj nipit të t’ia besonte xhaxhait të tij Ebu Talibit, i cili ishte vëllai i babait të Pejgamberit a.s., nga baba dhe nëna.
.



