Kë e udhëzon Allahu nuk ka kush e humb Lexo në pdfpdf_icon

kë e udhëzon Allahu foto

 

          Vëlla i dashur, nëse Allahu deshi të të udhëzojë në Rrugën e Tij, nuk ka kush të të humbë, përveç se nëse ti nuk meriton udhëzim të vërtetë, atëherë përsëri do të devijosh, dhe nuk ka kush të të udhëzojë vetëm se Allahu Fuqiplotë, thotë Allahu xhele shanuhu:“Atë që e ka udhëzuar Allahu, është udhëzuar drejt, por për atë të cilin Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë, ju nuk mund të gjeni askënd që ta udhëzoni atë në rrugë të drejtë.” (Kehf, 17).
Prandaj ke kujdes, se me fenë e Allahut Fuqiplotë nuk bëhet tallje. Ne sot, kemi shumë raste që prej të sapoudhëzuarve, në fillim i shohim si djelmosha të mirë, mirëpo nuk kanë seriozitet në udhëzimin e tyre. Pastaj, me pak lexim mundohen që hoxhallarët t’i kundërshtojnë, pastaj në familje nuk kontribuojnë, prindërit nuk i respektojnë; të jemi më të qartë, nuk dëgjojnë. Kjo na sjellë aty ku kemi mbetur, e a dini se ku kemi mbetur? Kemi mbetur shumë mbrapa! Me këto fjalë nuk po e përfshijmë tërë rininë; ku janë dhe ku s’janë. Por, duke parë se çfarë po ndodh me Islamin, e kemi parë se ai ka ngecur mbrapa për shumë faktorë, kurse njëra prej tyre është edhe kjo që e përmendëm më parë. Mu për këtë e morëm temën e rinisë edhe pse faktorët tjerë duhet të shkëmbehen, por edhe ata do të përmenden në temat e ardhshme.
Vëlla i dashur, Allahu të udhëzoftë!
Ne kemi nevojë për ty. Ti je ai që Islami të ka mirëpritur, kurse ne jemi vëllezërit e tu, ne ta ruajmë nderin (moralin), mallin (pasurinë) dhe gjakun (jetën): “Secili musliman e ka të ndaluar të nëpërkëmbë gjakun, pasurinë dhe nderin e muslimanit.” (Muslimi).Bëhu pjesë e këtij trupi, i cili nëse i shqetësohet një gjymtyrë, i tërë trupi do të shqetësohet: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë mes tyre, në mëshirën mes tyre dhe në butësinë e tyre është sikur shembulli i një trupi. Nëse një gjymtyrë e trupit ankohet për ndonjë dhimbje, tërë trupi pastaj ndien temperaturë dhe pagjumësi”. (Muslimi).
Ne jemi si muri, që lidhet me tjegulla; njëra me tjetrën: "Besimtari me besimtarin është i lidhur sikurse ndërtesa, elementet e së cilës, njëri me tjetrin janë të lidhur fort.” (Muslimi).
A e di ti se pas udhëzimit do të të gjejë rehati, do të qetësohesh shpirtërisht, do të kënaqesh me atë që të ka caktuar Allahu? Nuk ka më mirë sesa të jesh në mesin e vëllezërve tu, po a ka më mirë se sa të jesh prej umetit të Muhamedit, alejhi salatu ue selem, por nëse edhe këtë e refuzon, atëherë dije se ke humbur shumë, më shumë se gjithçka tjetër. Mirëpo, nëse e pranon atë që ta ofron ky din i madh, ke fituar në këtë botë dhe në botën tjetër. Vëlla, çfarë humb ti, nëse udhzohesh? A është humbje nëse largohesh nga shoqëria e ndytë dhe e pamoralshme? A humb nëse i largohesh alkoolit, amoralitetit, drogës, duhanit etj.? Jo, assesi nuk do të humbasësh! Përkundrazi, ti fiton, fiton materialisht, ekonomia të rritet; sepse shpenzimet e panevojshme t’i ndalon Islami. Haramit i largohesh e nuk shpenzon pa nevojë etj. Fiton po ashtu autoritet, bëhesh më i mirë, më i sjellshëm, më i moralshëm, fiton personalitet edhe pse të tjerët nuk të duan, por megjithatë, të kanë parasysh se je fetar, ashtu Allahu e ngrit robin e Tij.
Këto ishin sa i përket dynjasë, kurse në botën tjetër do të jesh në rreshtat e besimtarëve, do të jesh prej banorëve të Xhenetit, aty do të kesh kopshte ku rrjedhin lumenjtë. Thotë Allahu, xhele shanuhu:
“Shpërblimi i atyre (besimtarëve) te Zoti i tyre është: Kopshtet e përjetësisë në xhenetin Adën, nën të cilën rrjedhin lumenjtë.” (Bejine, 8).
Do të të shoqërojnë pejgamberët, burrat e drejtë, dëshmorët... Ah, sa shoqërues të mirë do të kesh! Thotë Allahu, xhele shanuhu:
“E kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, të tillët do të jenë së bashku në Xhenet me ata që Allahu i shpërbleu: pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!”(Nisa, 69).
Nuk do të mjaftonte sikur të kishim folur shumë më shumë për të mirat e asaj bote, por të lutemi mos u mashtro me këtë botë sepse kjo botë nuk ka asgjë më të mirë sesa bota tjetër. Thotë Allahu, xhele shanuhu:
“Ju po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, mirëpo jeta e asaj bote është më e mirë dhe e përhershme.”(Ala, 16-17).
Vëlla i dashur, Allahu të udhëzoftë! Tashmë, ne ta ngritëm argumentin ty, ti më nuk ke arsye. Kërko nga Allahu, subhanehu ue teala, që të të forcojë në dinin e Tij, të të udhëzojë, sepse Ai është Udhëzuesi më i mirë!
E lusim Allahun, subhanehu ue teala, që të na i pranojë punët tona, ngase Ai i di më së miri dhe i shikon zemrat tona. Përshëndesim të dëguarin tonë, Muhamedin, alejhi salatu ue selam, familjen e tij, shokët e tij  dhe gjithë besimtarët! Eselamu Alejkum!   

 

E përgatiti: robi i Allahut, i varfër para Madhërisë dhe Lartësisë së Tij, i dashuri i hoxhallarëve, i sjellshëm me vëllezër.


 

HOME | ISLAMI | KUR'ANI | SUNETI | AKIDE | FIKH | MORALI | FAMILJA | DERSE |SHKARKIME | PËR NE
Copyright © 2009 Rinia islame- Lejohet shpërndarja për hirë të Allahut Designed by: Cyber Design