Vlera e agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Sheval

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari, e lusim Allahun e Lartësuar të na e pranojë agjërimin tonë dhe ibadetet tona në muajin e shenjtë të Ramazanit, që na kaloi shumë shpejt.
Sunet është që ta përcjellim agjërimin e muajit të Ramazanit me agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval. Kush e ka agjëruar muajin e Ramazanit dhe i agjëron gjashtë ditët e muajit Sheval, e ka shpërblimin si të kishte agjëruar tërë vitin.

Transmeton Ebu Ejubi, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë:“Ai i cili e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell atë me gjashtë ditë të Shevalit, e ka shpërblimin si të agjëronte tërë kohën.” Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe.
Fjalën e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem: “e ka shpërblimin si të agjëronte tërë kohën” e sqaron hadithi tjetër, ku Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush i agjëron gjashtë ditë pas muajit të Ramazanit, e ka plotësuar një vit (kush bën një të mirë i ka dhjetë shpërblime).” Në një transmetim tjetër ka thënë: “Allahu subhanehu ue teala do ta shpërblejë një të mirë me dhjetë sevape dhe një muaj ka shpërblimin e dhjetë muajve dhe agjërimi i gjashtë ditëve është plotësim i një viti.” Nesaiu, ibn Maxhe dhe ky hadith është sahih. Shih Sahih Etergib uet-terhib 1/421.

Nga kjo kuptojmë se Allahu i Lartësuar e shpërblen dhjetëfish atë që bën një vepër të mirë. Në këtë rast, ai që ka agjëruar muajin e Ramazanit e ka shpërblimin si të kishte agjëruar dhjetë muaj dhe ai i cili e përcjell muajin e Ramazanit duke agjëruar edhe gjashtë ditë të muajit të Shevalit, e ka plotësuar një vit për shkak se gjashtë ditë shpërblehen si gjashtëdhjetë, që bëjnë 2 muaj, ndërsa muaji i Ramazanit shpërblehet sa 10 muaj, duke bërë një vit apo 12 muaj.

1 muaj (Ramazan) x 10 (fish shpërblimi) = 10 muaj
6 ditë (Sheval) x 10 (fish shpërblimi)        = 60 ditë apo 2 muaj
= 12 muaj apo një vit i plotë

E lusim Allahun e Madhëruar që të na pranojë adhurimet dhe të na i falë mëkatet!
Përgatiti: Eroll Nesimi

 

 

.