Rregullat e Agjërimit

Allahu xh.sh. ka thënë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [Bekare, 183]
* Pikësëpari duhet të dimë se agjërimi i Ramazanit, me konsensus të të gjithë dijetarëve të bazuar në Kur’an e Sunnet, është farz. Argument nga Kur’ani është ajeti 183 i lartpërmendur i sures Bekare, ndërsa nga Sunneti është hadithi: “Islami ngritet mbi pesë shtylla… (një prej tyre është) agjërimi i muajit të Ramazanit.” [Buhariu] Ky farz (agjërimi), një ibadet trupor e shpirtëror me dobi të shumëfishta në këtë dhe në botën tjetër, është obliguar në vitin e dytë të hixhretit, sipas të cilit del se Pejgamberi salAllahu ve selem ka agjëruar nëntë ramazana.
* Natyra e agjërimit është të shmangurit, të përmbajturit, të privuarit dhe largimi (që është edhe kuptimi i tij gjuhësor), kurse në botëkuptimin fetar islam është: Privimi i të rriturit musliman, me qëllim adhurimi dhe përkushtimi ndaj Zotit, prej çdo ushqimi, pirje, marrëdhënie intime dhe ejakulimi me qëllim si
dhe prej çdo ndalese tjetër, që nga agimi deri në perëndimin e diellit për çdo musliman që nuk e pengon diçka e përcaktuar.
* Agjërimi i Ramazanit është detyrë e obligueshme për çdo musliman (mashkull dhe femër), në moshë të rritur, vendas (jo udhëtar), i shëndoshë (fizikisht e psikikisht) dhe ata që janë liruar nga pengesat si menstruacionet etj. Mosha e pubertetit arrihet me ndonjërën prej këtyre tre gjërave: pjekuria seksuale, shfaqja e qimeve dhe plotësimi i moshës 15 vjeçare te meshkujt, ndërsa te femrat kur u fillon cikli menstrual, ajo obligohet me agjërim, ndonëse është më pak se 10 vjeç.
* Prej obligimeve me të cilat ngarkohet agjëruesi është namazi, i cili është më i rëndësishmi pas shehadetit dhe të cilin duhet gjithmonë ta kryejë rregullisht në xhami dhe në shtëpi.
* Të fillohet si dhe të ndërpritet agjërimi i Ramazanit kur të bëhet hëna e re, Pejgamberi salAllahu ve selem ka thënë: “Fillojeni agjërimin kur ta shihni hënën e re (të ramazanit), si dhe ndërprene agjërimin kur ta shihni hënën e re (të shevvalit).” [Buhariu dhe Muslimi].
* Largimi nga veprimet dhe shprehjet e injorancës, të cilat i ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij. Pejgamberi salAllahu ve selem thotë: “Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për dikë që lë ushqimin e pirjen e tij e nuk lë fjalët e këqija (shprehjet e injorancës dhe gënjeshtrat).” [Buhariu]. Pejgamberi salAllahu ve selem thotë:
“Shumë agjëruesve nuk u mbetet asgjë nga agjërimi, veç se uria.” [Ibn Maxhe]
* Largimi nga polemikat e thata dhe ofendimet. Pejgamberi salAllahu ve selem thotë: “Nëse dikush të lufton ose të ofendon, thuaji: Unë jam agjërues, unë jam agjërues.” [Tirmidhiu]
* Largimi nga gibeti, t’ia përmendësh vëllait tënd në mungesë atë që nuk e pëlqen, qoftë morale, fizike apo ndonjë të metë. Allahu thotë: “A mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut!” [Huxhuratë, 12]
* Largimi nga nemimja, bartja e fjalëve e shpifjeve ndërmjet njerëzve për të bërë fesad dhe prishur punë mes tyre. Pejgamberi salAllahu ve selem thotë: “Nuk do të hyjë në xhenet bartësi (shpifësi) i fjalëve.” [Buhariu dhe Muslimi]
* Largimi nga mashtrimi i njerëzve, qoftë në shitblerje, prodhim, qira, punë etj. Pejgamberi salAllahu ve selem thotë: “Ai që mashtron nuk
është prej nesh”
[Muslimi] në disa transmetime: “prej meje”.
* Syfyri (sehuri), ngrënia e ushqimit për parapërgatitje për agjërim dhe vonimi i tij deri në minutat e fundit të natës (para agimit). Pejgamberi salAllahu ve selem thotë: “Hani syfyr, sepse në të ka bereqet.” [Buhariu dhe Muslimi]
* Iftari i menjëhershëm pasi të perëndon dielli, e të mos vonohet aspak. Pejgamberi salAllahu ve selem thotë: “Njerëzit do të vazhdojnë në të mira përderisa shpejtojnë iftarin.” [Buhariu dhe Muslimi]
*Të shtrohet iftari dhe të pritet duke e lutur Allahun me çfarë din dhe dëshiron derisa të bëhet koha e iftarit. Pejgamberi salAllahu ve selem thotë: “Agjëruesi ka mundësi në iftarin e tij të bëjë dua dhe të mos i refuzohet.” [Ibn Maxhe]
* Leximi i shumtë i Kur’anit, dhikri, lutja, namazi, sadakaja, dhënia e ushqimit etj. gjatë tërë agjërimit, Pejgamberi salAllahu ve selem thotë: “Tre personave nuk u refuzohet duaja… (i pari prej tyre është): agjëruesit derisa të bëjë iftar.” [Ahmedi dhe Tirmidhiu]
* Prej gjërave që lejohet të mos agjërohet janë:
-Pamundësia për shkak të moshës apo të sëmundjes, qoftë mashkull apo femër, që nuk kanë fuqi të agjërojnë apo shkaktojnë keqësim a vështirësi të situatës së tyre. Nëse munden i kompensojnë më vonë, e nëse jo i kompensojnë me dhënien e ushqimit ditor (fidjes).
-Udhëtimi. Allahu ka bërë lehtësim për udhëtarin në agjërim, ai mund të hajë dhe t’i kompensojë aq ditë sa i ka ngrënë pasi të përfundojë udhëtimin. Por nëse nuk i pengon edhe mund të agjërojë.
-Shtatzënia dhe gjidhënia. Edhe për këto dy raste tek femrat është e lejuar të hanë në mënyrë që të evitojnë rrezikun që mund t’u kanoset fëmijëve apo edhe nënave gjatë shtatzënisë. Këto ditë kompensohen një ditë për një ditë.
*Gjëra që e prishin agjërimin janë:
-Agjërimi prishet vetëm në këto kushte: 1. Të ketë dituri mbi gjërat që e prishin. 2. Të jetë i vetëdijshëm mbi prishjen (të mos jetë prishja prej harresës).
-Gjërat, të cilat e prishin agjërimin, mund të jenë të llojit që dalin nga organizmi si: Marrëdhëniet seksuale, vjellja me dëshirë, ardhja e menstruacioneve ose të llojit që hyjnë në organizëm, si ushqimet, pijet, pirja e duhanit, injeksionet në vena ose ushqyese etj.
-Nga gjërat që e prishin agjërimin dhe që janë të ngjashme me ushqimet e pijet, përmendim: Ilaçet, tabletat, infuzionet dhe transfuzioni i gjakut. Kurse pastrimi i plagës (edhe nëse rrjedhgjak), pastrimi i syve, i hundës dhe heqja e dhëmbit, nuk e prishin agjërimin.
* Ilaçet, me të cilat bëhet shpëlarja e gojës, nuk e prishin agjërimin, edhe nëse në gojë mbetet aroma dhe shija e tyre, nuk e pengojnë agjërimin.
* E nëse ha apo pi me harresë, atëherë duhet ta vazhdojë agjërimin, sepse atë e ka ushqyer Allahu i Madhëruar. Nëse sheh dikë duke ngrënë me harresë, duhet t’i tregojë atij se është agjërueshëm, duke e bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Bashkëpunoni në të mira dhe devotshmëri.” [El Maide, 2]
*Kush ka nevojë ta prishë agjërimin për të shpëtuar dikë nga vdekja, i lejohet ta prishë dhe ta kompensojë më vonë, siç është rasti i shpëtimit të atij që është duke u mbytur ose të fikurit e zjarrit etj.
* Kur një agjërues kryen marrëdhënie seksuale, prishet agjërimi, ka ejakuluar apo jo, ky person obligohet të bëjë tevbe, ta plotësojë këtë ditë me kompensim dhe shpagim të rreptë për të (të agjërojë dy muaj radhazi), ashtu siç thuhet në hadithin e Ebu Hurejres r.a.: Ishim të ulur pranë Pejgamberit salAllahu ve selem kur erdhi një burrë dhe ky e pyeti: “Çfarë ke?”, -ai u përgjigj: Kam bërë marrëdhënie me gruan time duke qenë agjërueshëm. Pejgamberi salAllahu ve
selem i tha: “A ke mundësi të agjërosh dy muaj radhazi?” Jo! – tha ai. “A ke mundësi të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?” Jo – iu përgjigj ai, …”
[Buhariu]
* Puthja ose prekja e gruas nga burri i saj agjërues, nëse ai e zotëron epshin, është e lejuar, siç thuhet në hadithin e Aishes r.a., se Pejgamberi salAllahu ve selem e kishte puthur duke qenë agjërueshëm, mirëpo e kishte zotëruar veten e tij. Përndryshe ndalohet afrimi ndaj saj.
* Nëse një person zgjohet xhunub, agjërimi i tij është i plotë dhe i lejohet që ta shtyjë gusulin deri pas agimit, kjo vlen edhe për gusulin pas menstruacioneve apo lehonisë, mirëpo duhet të shpejtojë për namazin e sabahut.
* Duhet që agjëruesi të largohet nga çdo gjë që e ngacmon epshin e tij. Dalja e paraspermës (medhij) nuk e prish agjërimin.
* Ai që ka vjellë pa dashje, nuk ka kompensim, ndërsa ai që kërkon të vjellë qëllimisht duke futur gishtin në gojë, duke shtypur barkun, duke nuhatur ndonjë aromë që i provokon vjelljen apo duke shikuar vazhdimisht në ndonjë vend ngacmues për vjellje, obligohet që ta kompensojë atë ditë. E nëse vjell pa qëllim, nga ndonjë çrregullim në organizëm, agjërimi i tij nuk është prishur.
* Është i urryer shijimi i panevojshëm i ushqimit gjatë agjërimit, ndërsa ai që ka nevojë, siç është rasti i kuzhinierit apo nënës që përgatit ushqimin për fëmijën, i lejohet, por të mos e përcjellë në stomak.
* Nëse agjëruesi është i plagosur ose i del gjak nga hunda dhe i shkon në fyt, ose uji apo benzina duke punuar, pa dëshirën e tij, atëherë agjërimi i tij është i saktë. Edhe nëse i depërtojnë deri në brendësi të mushkërive, pa qëllim, pluhurat, tymrat, agjërimi i tij është i saktë.
* Pirja e duhanit është një nga veprimet që e prishin agjërimin dhe nuk është arsye për të justifikuar mosagjërimin, sepse mëkati nuk mund të jetë arsye.
* Zhytja në ujë nuk e prish agjërimin, gjatë agjërimit lejohet lagia e kokës me ujë për shkak të nxehtësisë. Notimi është i papëlqyeshëm gjatë agjërimit, për shkak të mundësisë së prishjes së tij.
* Nëse dikush ha, pi ose ka bërë marrëdhënie seksuale, duke menduar se ka ende kohë, e pastaj sheh se ka aguar, nuk obligohet me asgjë.

 

 

.