Çdo falënderim i përket Atij, me mirësitë e të Cilit plotësohen të mirat, ndërsa paqja dhe bekimet qofshin mbi më të mirin e krijesave. Më pas…
Allahu i Lartësuar e dalloi muajin Ramazan me një veçori madhështore, për faktin se shpërblimi i veprave të mira shumëfishohet. Dhe Ai, i Lartësuari, shpërblen për agjërimin pa llogari. E për këtë, ne dëshirojmë t`i përkujtojmë vëllezërit tanë me një fjalë, për portat e mirësisë në këtë muaj fisnik.
1) Agjërimi i Ramazanit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin:
I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e së kaluarës.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
2) Namazi i natës në Ramazan me besim dhe duke shpresuar shpërblimin:
I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që falet në Ramazan me besim dhe duke shpresuar (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e së kaluarës.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
3) Shtimi i sadakasë dhe lëmoshës:
“I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue selem, ishte njeriu më bujar e i shtohej edhe më shumë bujaria në muajin Ramazan kur e takonte Xhibrilin, i cili ia mësonte Kur`anin. Xhibrili e takonte atë çdo natë dhe ia mësonte Kur`anin. Prandaj i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, ishte më bujar në mirësi sesa era e dërguar (me mirësi të shumta).” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
4) Dhënia ushqim agjëruesve:
I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush ushqen një agjërues, do ta ketë shpërblimin sikur ai, pa iu pakësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.” (Shënon Ahmedi dhe e saktësoi Albani)
5) Shtimi i leximit dhe mësimit të Kur`anit:
I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Agjërimi dhe Kur`ani do të ndërmjetësojnë për robin në Ditën e Kijametit. Agjërimi do të thotë: “O Zoti im! Unë e ndalova atë nga ushqimi dhe epshi gjatë ditës, andaj pranoje ndërmjetësimin tim për të! Ndërsa Kurani do të thotë: “O Zoti im! E kam lënë pa gjumë gjatë natës, andaj pranoje ndërmjetësimin tim për të! Dhe (I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem) tha: “Do t`u pranohet ndërmjetësimi.” (Shënon Ahmedi dhe e saktësoi Albani)
6) Përpjekja në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit:
“Kur hynin dhjetë ditët (e fundit të Ramazanit), i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, e shtrëngonte rripin (bënte shumë adhurim), e gjallëronte natën (me namaz e Kur`an) dhe e zgjonte familjen e tij (për namaz).” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
7) Kërkimi i Natës së Kadrit:
Bazuar në fjalën e të Dërguarit, sal-lAllahu alejhi ue selem: “Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi) Po ashtu i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Ai që falet Natën e Kadrit me besim dhe duke shpresuar (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e së kaluarës.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
8) Umreja në Ramazan:
Bazuar në fjalën e të Dërguarit, sal-lAllahu alejhi ue selem: “Një umre në Ramazan e arrin shpërblimin e një haxhi – apo ka thënë- një haxhi me mua.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
9) I`tikafi (Qëndrimi në xhami për të bërë adhurim)
“I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, bënte i`tikaf në dhjetë ditët e fundit (të Ramazanit) derisa vdiq.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi) Ndërsa në tekstin e Buhariut qëndron kështu: “I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, bënte i`tikaf çdo Ramazan dhjetë ditë, ndëra vitin në të cilin vdiq, ai bëri i`tikaf njëzet ditë.”
10) Shtimi i përmendjes së Allahut, istigfarit (kërkim-faljes) dhe lutjeve:
I Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Me të vërtetë për çdo musliman në çdo ditë dhe natë –pra në Ramazan- ka një lutje të pranuar.” (Shënon Bezari dhe e saktësoi Albani) Po ashtu ka thënë: “Tri lutje janë të pranuara: lutja e agjëruesit, lutja e atij që i është bërë padrejtësi dhe lutja e udhëtarit.” (Shënon Bejhekiu dhe e saktësoi Albani)
11) Kujdesi për kryerjen e pesë namazeve me xhemat:
Kujdesi ndaj suneteve të namazeve, ashtu siç ka thënë i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem: “Nuk ka ndonjë njeri musliman, i cili e kryen një namaz obligues (farz), e përsos abdestin, përkushtimin dhe rukunë (përuljen) e tij, veçse do të jetë shlyerje për mëkatet e mëparshme, nëse ruhet nga mëkatet e mëdha dhe kjo është kështu gjatë tërë kohës.” (Shënon Muslimi)
12) Falja dhe largimi nga injorantët:
Bazuar në fjalën e të Dërguarit, sal-lAllahu alejhi ue selem: “Kur ndokush prej jush të agjërojë, mos të flasë fjalë të ndyta dhe mos të bërtasë. E nëse ndokush e fyen apo dëshiron të rrihet, le t`i thotë: “Unë jam agjërues, unë jam agjërues.” (Shënojnë Buhariu dhe Muslimi) Po ashtu ka thënë: ”Kushdo që nuk e lë të gënjyerit dhe të vepruarit sipas saj, si dhe injorancën, Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë të ngrënët e të pirët e tij.” (Shënon Buhariu)
Përktheu nga arabishtja: Ebu Halid
.



