Agjërimi është një shtyllë nga pesë shtyllat e Islamit, dhe si i tillë është obliguar ditën e hënë, me 2 sha’ban të vitit të dytë sipas hixhretit.
Etimologjikisht, agjërimi e ka kuptimin e të përmbajturit apo të hequrit dorë (nga diçka). All-llahu i Madhëruar thotë: “… Unë i kam dhënë besë të Gjithmëshirshmit se do të agjëroj (hesht) dhe sot me asnjë nuk po flas” . (Merjem: 26)
Ndërsa, në legjislacionin islam, agjërimi e ka kuptimin e “të përmbajturit nga gjërat që e prishin atë nga lindja e agimit deri në perëndim të diellit, duke përfshirë këtu edhe nijetin”.
Obligueshmëria e agjërimit të ramazanit bazohet apo mbështetet në tri argumente themelore: në Kur’an, sunet dhe ixhma’ (konsensus).
1. Sa i përket Kur’anit, i cili është burim kryesor i fesë islame dhe nga i cili nxiren të gjitha dispozitat fetare, mjafton fjala e të Lartësuarit ku thotë: “O besimtarë! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata që qenë para jush, ndoshta do të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare: 183) dhe poashtu ajeti tjetër: “Muaji ramazan është ai në të cilin filloi të shpallet Kur’ani, udhëzim për njerëzit dhe agument i qartë i rrugës së drejtë dhe dallimit të mirës nga e keqja. Cili prej jush që do ta arrijë atë muaj, ta agjërojë atë … (El-Bekare: 185)
2. Argumenti i dytë është fjala e të dërguarit, sal-lAllahu alejhi ue selem, nga suneti, ku thotë: “Islami ngritet mbi pesë shtylla e që janë: dëshmia se nuk ka Zot tjetër (që meriton adhurimin me të drejtë) përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe shkuarja në haxh.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
3. Ndërkaq, sa i përket argumentit të tretë, është ky konsensusi, apo mendimi i përbashkët i të gjithë dijetarëve islamë mbi obligueshmërinë e agjërimit dhe qëndrimin se ai (agjërimi) është një nga shtyllat e Islamit dhe se ai që e mohon atë konsiderohet mosbesimtar apo i daluar nga feja.
Agjërimi, ndryshe nga obligimet tjera fetare të cilat All-llahu i Lartësuar i ka përcaktuar për robërit e Tij, veçohet me atë se është një adhurim i “fshehtë” i robit ndaj Zotit të vet. Dhe, pikërisht, për këtë arsye, është vënë në pah vlera e tij e madhe, po edhe shpërblimi që e ka përgatitur All-llahu i Madhëruar për agjëruesit. Në hadithin që e transmeton Ebu Hurejre, radijAllahu anhu, i dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, thotë: “Çdo vepër që e bën njeriu, është e tij pos agjërimit, i cili më përket Meje dhe Unë do të shpërblej për të; agjërimi është mbulojë, andaj kur ndonjëri prej jush të jetë agjërueshëm, le të mos flaës fjlaë të ndyta, le të mos bërtet dhe le të mos nënçmojë askë, e nëse ndodh që dikush ta shajë, le të thotë: “Unë agjëroj” (dy herë); pasha Atë, në dorën e të Cilit ndodhet jeta e Muhammedit, era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek All-llahu ditën e Kijametit se sa era e miskut. Vërtet, agjëruesi gëzohet dy herë: Me ardhjen e iftarit (kohës së ngrënies) dhe kur takohet me Zotin e vet (gëzohet për agjërimin e tij)”. (Këtë hadith e shënojnë në përmbledhjet e tyre Ahmedi, Muslimi dhe en-Nisai)
Vlera e madhe e agjërimit vërehet në shumë hadithe të pejgamberit, sal-lAlalhu alejhi ue selem, e midis tyre shohim edhe faktin se agjërimi do të ndërmjetësojë ditën e Gjykimit për atë që ka agjëruar këtë muaj të bekuar. Kështu, na ka lajmëruar i dërguari ynë, sal-lAllahu alejhi ue selem, në hadithin që e transmeton Abdullah ibn Amr:
“Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për njeriun ditën e Kijametit; agjërimi do të thotë: “O Zot, e kam penguar nga ushqimi dhe epshet (dëshirat) gjatë ditës, andaj më lejo të ndërmjetësoj për të. Kur’ani do të thotë: “E kam penguar nga gjumi gjatë natës, andaj më mundëso të ndërmjetësoj për të. Dhe All-llahu do të lejojë të ndërmjetësojnë”. (Hadithin e shënon Ahmedi)
Besimtari ideal mundohet që secilin adhurim që e kryen, ta e bëjë në formën më të përsosur dhe më të përkryer. Ai e ka të qartë se agjërimi nuk përfshin, thjesht, vetëm largimin nga ushqimi dhe pija, por ka një kuptim më të thellë, në fakt, agjërimin e të gjitha organeve të trupit
Agjërimi, në kuptimin më të thellë përfshin të përmbajturit e gjuhës nga fjalët e ndyta, sharjet, përgojimet, shpifjet, gënjeshtrat, pastaj ruajtjen e veshit nga të gjitha këto vese të këqia e të shëmtuara, ruajtjen e syrit nga shikimet e ndaluara, dorës – nga veprime të ndaluara, po edhe këmbës – nga shkuarja në vendet e ndaluara. Në këtë kontekst, Xhabiri, radijAllahu anhu, thotë:“Kur të agjërosh, le “të agjërojë” veshi dhe syri yt (dëgjimi dhe shikimi nga gjërat e ndaluara), gjuha jote nga pënjeshtra, përgojimi dhe shpifja”.
Vetëm duke vepruar në këtë mënyrë, njeriu do ta arrijë atë shkallë të devotshmërisë, që është përmendur në ajetin e mësipërm.
Nga rreziku që i sjellin ndalesat atij që agjëron, e si rrjedhojë mund ta shkaktojnë edhe mospranimin e agjërimit nga ana e All-llahut (e lus All-llahun që të jemi në mesin e atyre që agjërojnë ashtu siç dëshiron dhe pëlqen Ai), i dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, na ka paralajmëruar dhe na ka tërhequr vërejtjen mbi këto duke thënë:“Ka shumë të atillë që agjërojnë derisa prej atij agjërimi nuk përfitojnë asgjë pos urisë, e poashtu ka shumë të atillë që e kalojnë atën duke u falur derisa nga kjo falje nuk përfitojnë asgjë pos gdhirjes”. (Hadithin e shënojnë Ibn Maxhe, Hakimi dhe en-Nisai)
Të mirat dhe dobitë që i sjell agjërimi janë të shumta dhe të panumërta. Mjafton të ceket vetëm ajo se në të ndodhet nata e Kadrit, për të cilën All-llahu i Madhëruar na ka njoftuar se ajo vlen më shumë se një mijë muaj, ndërsa i dërguari, sal-lAllahu alejhi ue selem, lidhur me këtë natë është shprehur duke thënë:“Kush privohet nga të mirat e saj, vërtet është privuar (nga mirësitë e shumta)”
Secili besimtar duhet të përpiqet të japë maksimumin e vet që t’i ngjallë këto ditë e netë të muajit të bekuar të ramazanit me namaz nafile, lexim të Kur’anit, të dhënit lëmoshë, të përmendurit e All-llahut e gjëra të tjera të pëlqyeshme, e assesi të mos ia lejojë vetes të hyjë ne grupin e atyre njerëzve neglizhentë e indiferentë të cilëve u kalon ramazani, e prej tij nuk përfitojnë asgjë.
Të tillët, me siguri, do të pendohen për çdo çast që iu ka kaluar pa e shfrtyzuar, por pa dyshim atëherë do të jetë tepër vonë, pasi që treni tashmë ka ikur!
Përgatiti: Ebu Seid
.



